Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë Didier Chambert, ku është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në mes të dyja vendeve.
Ministri Shala ka prezantuar prioritetet e MTI-së, që sipas tij, do të jenë në përputhje edhe me politikat e qeverisë.
“Unë do të fokusohem më shumë në ato që shihen si brengat më të mëdha nga qytetarët e Kosovës. Në mbrojtjen e konsumatorit, kontrollin e tregut dhe rritjen e investimeve të huaja duke punuar shumë në përmirësimin e kushteve”, ka thënë ministri Shala.
Shala ka theksuar se ka angazhuar të gjithë stafin e MTI-së për plotësimin e kritereve që dalin nga marrëveshje për stabilizim asociim (MSA).
“Ajo që është kryesorja dhe kusht, jo vetëm i ministrisë që drejtoj unë, por i gjithë qeverisë së Kosovës, është në plotësimin e të gjitha kritereve të MSA-së”, tha Shala, thuhet në njoftimin për media.
Ministri i kërkoi ambasadorit mbështetje në rritjen e shkëmbimeve tregtare Kosovë-Francë, veçanërisht në fushën e bujqësisë, duke iu ndihmuar prodhuesve vendor.
“Kosova ka produkte të mira dhe ia vlejnë të eksportohen në Francë. Eksporti i produkteve kosovare nënkupton hapjen e vendeve të reja të punës dhe fuqizim të ekonomisë”, u shpreh Shala.
Shala ka folur edhe për turizmin, duke ia shpjeguar ambasadorit se zyra e turizmit nga divizioni është ngritur në departament.
“
Koncept dokumenti për ligjin për turizëm ka kaluar dhe kemi nënshkruar disa marrëveshje për promovimit të turizmit dhe jemi në bisedime me kompani të ndryshme dhe është një kërkesë e operatorëve sidomos në Evropë që ta rrisim prezencën tonë dhe ta promovojmë Kosovën në vendin tuaj” ka thënë ministri Shala.
Ambasadori Chambert ka shprehur gatishmëri për ta ndihmuar Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në rritjen e investimeve të huaja, duke treguar për një projekt gjigant që pritet të nis së shpejti në fushën e energjisë së ripërtërishme.
“Një prej elementeve kryesore është zhvillimi dhe përforcimi i marrëdhënieve ekonomike dhe rritja e investimeve franceze në Kosovë. Një kompani franceze ka shprehur gatishmëri për të investuar në fushën e energjisë së ripërtërishme. Kompania ka një projekt të investimit prej 120 milionë eurove të një parku për prodhimin e energjisë me erë, që fuqia e prodhimit do të ishte 80 megavat dhe numri i të punësuarve do të shkonte nga 150 deri 200”, tha ambasadori francez në Kosovë Chambert.
Ministri Shala shprehu gatishmërinë që ta mbështes nisjen e këtij projekti, duke theksuar se do të angazhohem me të gjithë kapacitetet që ky investitor të ketë kushte sa më të mira në Kosovë. /Telegrafi/