Telegrafi

Franca duhet të luajë mirë nga fillimi deri në fund

Përfaqësuesja e Francës e nisi sërish dobët një ndeshje në ‘Euro 2016’, por përsëri ka shpëtuar, pasi mposhti Irlandën (2-1) për t’u kualifikuar në çerekfinale.

Mirëpo, futbollistët francezë e dinë shumë mirë se tash e tutje duhet të jenë më të shpejtë dhe të kenë start më të fuqishëm, pasi më nuk ka skuadra të dobëta dhe kësisoj nuk mund të mbështeten te fati apo në minutat e fundit, shkruan Reuters.

Francezët patën start katastrofal kundër Irlandës, pasi Paul Pogba në minutën e parë të ndeshjes shkaktoi penallti pas ndërhyrjes ndaj Shane Long që e konvertoi në gol Robbie Brady, përcjell Koha Ditore.

Një ndryshim taktik në pjesëlojën e dytë, ku seleksionuesi Didier Deschamps zhvendosi Antoine Griezmannin më afër Olivier Giroudit në qendër të sulmit, bëri që Franca të jetë më efikase.

Gjithashtu, këtu kontribuoi edhe zëvendësuesi Kinglsey Coman që ishte shumë i shpejtë në krahun e djathtë.

Nikoqiri i turneut të sivjetmë duhet të bëjë lojë të qëndrueshme që nga fillimi deri në fund të ndeshjes, për të shpresuar ta ngrejë trofeun në fund.