Mbrojtësi i Paris Saint-Germainit, Sergio Ramos, i ka kërkuar falje një fotografit për reagimin e tij pas humbjes nga Bayern Munichu në Ligën e Kampionëve.
Spanjolli nuk ka mundur ta fshehë zemërimin për humbjen prej 1-0 në Parc des Princes në sfidën e parë të të tetës së finales në garën elitare evropiane.
Derisa futbollistët e PSG-së po duartrokisnin në drejtim të tifozëve të tyre, Ramos i kërkoi një fotografi që t’i lironte hapësirë, derisa e shtyu një tjetër që i ishte afruar shumë.
Sergio Ramos… 😭💀💀
— PSG Report (@PSG_Report) February 15, 2023
36-vjeçari më pas i ka kërkuar falje fotografit të identifikuar si Markus Gilliar, të cilin e ka kontaktuar personalisht.
“Befasia e mbrëmjes: Sergio Ramos më kontaktoi personalisht dhe më kërkoi falje për sjelljen e tij. Kërkimfalja pranohet, mbyllet rasti”, ka shkruar Gilliar në Instagram, ndërsa Ramos ka reaguar për ta falënderuar për mesazhin e tij. /Telegrafi/