Site icon Telegrafi

Foshnjat nën rrezik: Pse nevojitet rehabilitimi fizioterapeutik i hershëm?

Zhvillimi motorik, ndijor dhe kognitiv janë pjesët kryesore të zhvillimit të përgjithshëm te fëmijët normal. Dëmtimi i njërës prej këtyre faktorëve të zhvillimit pa marrë parasysh shkaqet shfaqet si çrregullim i cili e dëmton zhvillimin normal të fëmijës.

MSc.Pt. Zana Gërgi
Specialiste e fizioterapise pediatrike-fizioterapeute neurozhvillimore Bobath

Foshnjat nën rrezik janë foshnje me vonesë në një apo më shumë faza në shkallët e zhvillimit motorik, ndijor dhe kognitiv si pasojë e problemeve shëndetësore të nënës gjatë periudhës së shtatzënisë (sëmundjet gjenetike,tiroidet, diabeti), problemeve te paraqitura gjatë procesit të lindjes (lindjet parakohe, lindjet e vështira, mbetja pa oksigjen e bebes), apo edhe pas lindjes (verdhëza, infeksione të ndryshme, lindja e vonuar (+42 javë), pesha e ulët apo e lartë e lindjes (1500 g/4000 g) dhe kanë një paraqitje rreth 50% me probleme motorike e të koordinimit, ndërsa në 5 deri në 15% te tyre paraqitet paraliza cerebrale (PC).

Rehabilitimi fizioterapeutik i hershëm – rëndësia e moshës 0–3 vjet

Rehabilitimi i hershëm apo ‘Early Intervention’ përfshin diagnostikimin e hershëm të problemeve neuromotorike te bebet, vlerësimin e shkallës së dëmtimit, potencialit për përmirësim dhe trajtimin adekuat terapeutik.

Për zhvillimin neuromotorik 3 vitet e para të jetës janë shumë të rëndësishme. Gjatë kësaj periudhe truri ka një potencial më të madh të mësimit motorik dhe rigjenerimit, prandaj përgjigjja në terapi është më e shpejtë, kështu që, intervenimi i hershëm fizioterapeutik në këtë periudhë ka një rëndësi shumë të madhe në sigurimin e zhvillimit neuromotorik te fëmijës. Poashtu gjatë kësaj periudhe rëndësi e veçantë duhet t’i kushtohet edhe komunikimit efektiv me fëmijën, përshtatjes me ambientin dhe ushqimit të shëndetshëm të cilët janë faktorë të rëndësishëm për zhvillimin normal të trurit.

Objektivat kryesore të rehabilitimit të hershëm janë problemet të cilat paraqiten në periudhën prenatale, natale dhe postnatale dhe më pas vonesat në zhvillimin e fëmijës.

Foshnjat të cilët duhet të hyjnë në programet për rehabilitim fizioterapeutik të hershëm

Foshnjat tek të cilët vërehen dëmtimet menjëherë pas lindjes apo edhe dyshohet se mund të kenë ngecje në zhvillimin neuromotorik konsiderohen si foshnje nën rrezik dhe duhet të fillohet me programin e rehabilitimit fizioterapeutik, i cili zgjat deri në moshën 2 vjeçare.

Këto foshnje gjatë kësaj periudhe mund të zhvillohen në mënyre normale, por mund të kenë edhe probleme neurologjike apo çrregullime të lëvizjeve, prandaj duhet të vlerësohen nga ana e neurologut pediatrik dhe sipas nevojës, më pas duhet të delegohen tek fizioterapeuti pediatrik për trajtim terapeutik adekuat në kuadër të programit të rehabilitimit.

Si foshnje nën rrezik te të cilët duhet të fillojë rehabilitimi fizioterapeutik i hershëm mund të konsiderohen:

• Bebet të cilat gjatë lindjes kanë mbetur pa oksigjen,
• Bebet të cilët kanë pësuar gjakderdhje në tru
• Bebet me probleme të frymëmarrjes dhe të zemrës,
• Bebet e sëmurë nga verdhëza, infeksionet, sulmet epileptike
• Bebet te të cilët vërehet ngecja në zhvillim
• Bebet premature pa i mbushur 37 javë
• Bebet me peshë të vogël të lindjes

Vlerësimi neurozhvillimor i bebave nën rrezik nga ana e fizioterapeutit pediatrik

Vlerësimet neuromotorike që aplikohen te foshnjat te të cilët dyshohet për prezencën e këtyre problemeve, janë duke u bërë gjithnjë e më te rëndësishme për zbulimin e çrregullimeve në zhvillim që në fazën më të hershme. Kështu duke intervenuar në kohën e duhur me terapinë e duhur, vjen deri te zbutja apo edhe evitimi i problemeve evidente te fëmija, parandalimi i deformimeve të ekstremiteteve dhe dobësisë muskulore, parandalimi i çrregullimeve në qëndrimin postural dhe parandalimi i problemeve sekondare në fazat e më vonshme të zhvillimit.

Programi i rehabilitimit fizioterapeutik neurozhvillimor – teknikat BOBATH

Rehabilitimi i hershëm bëhet me një qasje multidiciplinare në bashkëpunim nga familja neurologu pediatrik dhe fizioterapeuti pediatrik.

Në programin e rehabilitimit fizioterapeutik të hershëm një nga metodat më të avancuara është terapia Neurozhvillimore (Neurodevelopmental therapy) BOBATH, qëllimi i të cilës është që duke përfituar nga rigjenerimi i trurit dhe aftësia më e madhe e mësimit motorik në këtë periudhë të jetës duke u bazuar në problemet e pranishme te çdo fëmije përmes terapisë adekuate të sigurohet rregullimi i tonusit muskulor, zhvillimi i lëvizjeve normale, parandalimi i deformiteteve muskulo-skeletore, nxitja e aktiviteteve normale, ngritja e perceptimit, zbutja e problemeve të frymëmarrjes dhe të ushqimit, sigurimi i qëndrimit të drejtë postural me vëzhgim të vazhdueshëm të ndryshimeve neuromotorike nga ana e fizioterapeutit pediatrik.

Këtu, duhet përfshirë edhe programin në shtëpi, ku rëndësi e madhe i kushtohet edukimit të familjes për mbajtjen dhe pozicionimin e duhur te fëmijës, pjesëmarrjen aktive të familjes në programin e rehabilitimit, dërgimin e rregullt të fëmijës në kontrolle, ashtu që t’i mundësohet arritja e pavarësisë fizike, psikologjike, sociale sa më shumë që është e mundur.

/Telegrafi/

 

Exit mobile version