Me më shumë gara, me më shumë skuderi dhe me rregulla më të komplikuara, Formula 1 do të kthehet në vikendin e tretë të këtij muaji (20 mars) në Melbourne, por përballet me shumë probleme të zakonshme dhe pyetje që kërkojnë përgjigje.
Pyetja e parë ka të bëjë me mosnjohjen e nivelit të motivimit te kampioni në fuqi i F1, Lewis Hamilton që synon titullin e katërt në karrierë dhe të tretin rresht me bolidin e Mercedesit, që ka dominuar plotësisht vitet e fundit, shkruan AFP.
Hamilton, që është kampion i vitit 2008, 2014 dhe 2015 gjatë edicionit të shkuar humbi dëshirën për fitore kur siguroi titullin e kampionit tri gara para përfundimit të edicionit, duke lejuar kolegun e tij, Nico Rosberg të shënonte fitore të lehta, përcjell sot Koha Ditore.
Testimet para sezonale kanë dhënë sinjale se edhe në edicionin e ri, lufta do të jetë e ashpër mes pilotit britanik dhe atij gjerman për titullin e kampionit. Mbetet të shihet se si do të shkojë gara e tyre për Shpërblimin e Madh të Australisë.
“Jam i gatshëm për edicionin e ri dhe besoj se kësaj here mund ta fitoj titullin e kampionit. Nuk do të jetë lehtë për shkak se edhe konkurrenca është më e madhe dhe ka më shumë gara, por besoj se do t’ia dalë mbanë”, ka thënë Rosberg.