Cristiano Ronaldo ka fituar ‘nderin’ e të qenit njëri nga lojtarët më të këqij në fazën e grupeve të Kupës së Botës të këtij viti që po mbahet në Katar.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë filloi të tre ndeshjet e Portugalisë në Grupin H, por dukej anonim përveç një penalltie kundër Ganës.
Ronaldo u zëvendësua në të tre ndeshjet, ndërsa pesë golat e fundit të Portugalisë u shënuan nga lojtarë të tjerë përveç tij.
Joao Felix dhe Rafel Leao shihen si e ardhmja e kombëtares dhe hynë në listën e golashënuesve kundër Ganës. Bruno Fernandes është padyshim lojtari më i mirë i Portugalisë, me dy golat e tij kundër Uruguait që vulosen kualifikimin.
Faqja e specializuar e të dhënave dhe statistikave Sofascore ka përpiluar një formacion me lojtarët me notat më të ulëta dhe Ronaldo gjendet aty me një vlerësim mesatar prej 6.37 për paraqitjet e tij në turneun e kësaj vjeshte deri më tani.
Ai dhe Mathew Leckie i Australisë janë dy lojtarët e vetëm të përfshirë në ekip që janë kualifikuar në fazën e 1/8-tës.
Emra tjerë janë edhe Meshaal Barsham (Katar), Alistair Johnston (Kanada), Oscar Duarte (Kosta Rika), Francisco Calvo (Kosta Rika), Homam Ahmed (Katar), Karim Boudiaf (Katar), Abdulellah Al Malki (Arabia Suadite), Tajon Buchanan (Kanada) dhe Almoez Ali (Katar).
Çuditërisht, Katari pritës ka katër lojtarë, duke pasur parasysh paraqitjen e tyre të dobët në Grupin A. Ata u bënë vendi i parë pritës që humbi të tre ndeshjet e tyre në grup. Ata shënuan vetëm një gol në humbjen 3-1 ndaj Senegalit.
Ndryshe, Ronaldo aktualisht është pa klub pasi u largua nga Manchester United muajin e kaluar. 37-vjeçari u përjashtua nga klubi pas një interviste me Piers Morgan në TalkTV.
Portugalia do të përballet me Zvicrën të martën në mbrëmje për një vend në çerekfinale. /Telegrafi/