Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja ka bërë të gjitha përgatitjet dhe ka në mendje formacionin për ndeshjen kundër Ludogorets në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Ballkani nis sot (e martë) udhëtimin në garat evropiane, pasi është nikoqir i Ludogoretsit në kuadër të ndeshjeve kualifikuese në Ligën e Kampionëve.
Kampioni i Kosovës është e pret kampion bullgar në takimin që pritet të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45.
Therandasit kanë bërë të gjitha përgatitjet dhe trajneri Daja tashmë ka në mendje formacionin “anti-Ludogorets”.
Telegrafi mëson se Daja nuk do të bëjë shumë ndryshime në formacion nga fundi i sezonit të kaluar, me vetëm Enea Koliqin që pritet të marrë vendin e Stivi Frashërit të larguar.
Dyshimi i vetëm është vendosja e Qëndrim Zybës si titullar apo e Arbër Potokut, por ky i fundit si duket ka fituar vendin nga minuta e parë, duke bërë që Lorenc Trashi të avancojë më përpara në mesfushë.
Tre mbrojtësit e përhershëm do të jenë përsëri titullarë të padiskutueshëm si Armend Thaqi, Lumbardh Dellova dhe Bajram Jashanica.
Në mesfushë do të jetë dyshja Lindon Emerllahu dhe Edvin Kuc, të cilët do të ndihmohen gjithashtu nga Meriton Korenica dhe Nazmi Gripshi, të cilët së bashku me Trashin kanë pak më shumë detyra sulmuese.
Në sulm i vetëm do të jetë i padiskutueshmi Albion Rrahmani.
Formacioni i mundshëm i Ballkanit: Koliçi; Thaqi, Dellova, Jashanica, Potoku; Emerllahu, Kuc; Korenica, Gripshi, Trashi; Rrahmani;
/Telegrafi/