Site icon Telegrafi

Fluturimi shpëtimtar i Faruzës!

Bisedoi: Shaqir Foniqi

Faruza Kallaba u lind në Damask të Sirisë, më 3 nëntor 1956 nga babai shqiptar, Haki Kallaba dhe nëna ukrainase, Ana Senkiewicz. Si fëmijë, Faruza bashkë me familjen e saj ishte shpërngulur nga Arabia dhe ishte vendosur në Chicago të SHBA-ve, ku jeton edhe tashti.

Ka diplomuar me Akademinë Ushtarake në Universitetin e Ilinoisit me 1989 dhe ishte femra e parë e ekuipazhit të Gardës Nacionale të Forcave ajrore të Ilinoisit, qysh më 1984.

Znj.Faruza, fillimisht deshëm të dimë çfarë kuptimi ka emri Faruza, sepse duket emër shumë i veçantë?

Faruza shqiptohet ndryshe si ‘Fairuz’. E ndryshuam shqiptimin kur erdhëm në SHBA. Mendoj se kjo ma bëri më të lehtë. Është emri i një guri të kaltër në të gjelbër, i quajtur ‘turquoise’ në gjuhën arabe.

Ju, sikurse theksuam më lartë kishit një rol shumë aktiv dhe të rrallë e specifik me 1999, kur NATO bombardoi caqet serbe në Kosovë. Ju, bënit furnizimin e aeroplanëve bombardues (në qiell). Ishte ky një operacion i vështirë?

Po, unë kam pasur një rol shumë aktiv dhe të rallë gjatë bombardimeve. Secili operacion është i vështirë, pasi bëhen shumë plane për çdo operacion.

Megjithatë, qëllimi juaj ishte human, shpëtimtar. Por, për ju kishte një simbolikë edhe më të madhe. A është kështu?

Ky operacion ishte shumë domethënës, sepse ishte për vendin e babait tim! Isha krenare që kisha mundësinë për të qenë pjesë e këtij veprimi. Vendimi ishte i lehtë për t’u marrë për këtë.

Për 87 ditë kishit pushtuar qiellin dhe misioni juaj përfundoi me sukses. Jeni e kënaqur për këtë?

Emocionet e mia ishin sa profesionale aq edhe personale. Ishte një përzierje e ndjenjave që më dha më shumë përkushtim për të nxjerrë një rezultat të mirë

Në këtë mision ishit për herë të parë dhe obligimin e pranuat me kënaqësi. Ishit në një mision paqësor. A kishit emocione dhe çfarë ishin ato?

Unë ndihem shumë krenare me karrierën time. Edhe familja ime është po ashtu shumë krenare. Ata shpeshherë flasin për këtë, pasi duan që të vegjlit të dinë për mua. Kur mendoj për gjithë vitet e kaluara, është e vështirë të besoj se e kam arritur gjithë këtë. Ishte punë e rëndë, por ia vlente që të djersitesh, sidomos kur dihet se kisha rastin për t’i ndihmuar Kosovës.

A keni qenë në Kosovë dhe si ndiheni aty, meqë jeni pjesë e çlirimit të saj?

Unë kam qenë në Kosovë dhe është e mrekullueshme t’i shohësh njerëzit të lumtur e duke përparuar, kur dihet se kanë kaluar nëpër shumë vështirësi. Unë jam krenare për të gjithë atje. Asgjë nuk mund t’i mbajë ata poshtë. Ata janë të fortë dhe inteligjentë.
Jam e ngazëllyer që kam qenë pjesë e çlirimit. Por, populli është heroi i vërtetë.

Tashmë jeni mishëruar me jetën ushtarake. A e përdorni edhe në shtëpi, “regjimin” ushtarak?

Që nga koha kur babai im ishte i përfshirë në ushtri, rendi shtëpiak ishte gjithmonë i disiplinuar. Megjithatë, tashti kemi rregulla më të lehta se sa kur prindërit tanë ishin më të rinj.

A do t’ia preferonit fëmijëve tuaj profesionin e pilotit/pilotes?

Unë do të doja që fëmijët në familjen tonë të kenë karrierë në çfarëdo qoftë që i bënë ata të lumtur. Deri tash, askush prej familjes sonë nuk ka treguar interes për ushtrinë. Ky profesion nuk është për të gjithë. Është një zgjedhje e vështirë për t’u bërë.

Ku e gjeni vetën më komode: lartë në qiell apo poshtë në tokë?

Vërtet më mungon shumë ushtria. Ishte fascinuese dhe sfiduese puna aty, por nëse do të kisha mundësinë do ta bëja sërish të njëjtën gjë… Ndoshta në të ardhmen do të gjej ndonjë punë tjetër tërheqëse për mua. Ndoshta jo në ajër, por sigurisht diçka tjetër të pazakontë.

A iu kujtohet sa orë keni qëndruar në Qiell?

Nuk më kujtohet saktësisht se sa orë kam kaluar në ajër. Por, janë rreth 4000 orë. Unë kam udhëtuar përreth botës. Shumë shpesh. Duket se kam udhëtuar më shumë se sa që kam qenë në shtëpi.  Më pëlqen thesari i gjithë asaj që kam parë. Por, që ta përfundoj karrierën me çlirimin e Kosovës kjo ishte përtej dëshirave të realitetit. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version