Megjithë, vështirësitë, sfidat dhe sakrificat, ka qenë ambicia e palëkundur, ajo që Flutura Mazreku, të prekë suksesin në shtetin e Kanadasë. Ajo thotë se edhe përkundër faktit se zhvendosja nga Kosova në Kanada i ka paraqitur shumë sfida, ishte ky shtet që ia dha mundësinë ta realizoj ëndrrën e saj të shumë pritur. Por, dëshira e saj mbetet që të kontribuoj në zhvillimin dhe avancimin e Kosovës, në çfarëdo kapaciteti të nevojshëm.
Me studime të përfunduara në Universitetin Carleton, University Ottava, dhe Western University, me suksese të larta, dhe duke u bazuar në rezultatet të shkëlqyera të saj, është e angazhuar në Universitetin Carleton, si asistente, e po ashtu ka punuar edhe në Parlamentin e Kanadasë, Flutura Mazreku është shqiptarja e parë që punon në Qeverinë e Kanadasë, përkatësisht në Agjencinë e Sigurimit Kufitarë, në kuadër të Ministrisë së Sigurisë Publike.
“Unë fitova gradën Master në Ligjin Ndërkombëtarë të Refugjatëve. Si shumica e kosovarëve, unë dhe familja ime ishim refugjatë gjatë luftës. Prandaj, kjo temë ka rëndësi të madhe për mua. Po ashtu, unë kam përvojë personale në sfidat e refugjatëve dhe i kuptoj vuajtjet e tyre shumë mirë. Prandaj, synimi im për të ardhmen është të punoj drejtpërdrejt në çështjet e refugjatëve. Po ashtu, kisha pasur shumë dëshirë të kontribuoj në zhvillimin dhe avancimin e Kosovës, në çfarëdo kapaciteti të nevojshëm”, tha në një intervistë për Telegrafin Flutura Mazreku.
Edhe pse, Kanadanë e konsideron si vendin e saj, ajo tha se Kosova ka më shumë nevojë për talentin e shumë shqiptarëve të shtresës intelektuale dhe akademike që momentalisht gjenden anë e mbanë botës, sepse, siç tha ajo “Kosova nuk ju ofron mundësitë e duhura”.
Fuqizimin dhe avancimin e femrave, Flutura Mazreku e sheh shumë të rëndësishme për shoqërisë, sepse, sipas saj, femrat shqiptare duhet t’i ndjekin ëndrrat e tyre jo vetëm për vete, por për të mirën e gjithë shoqërisë.
Telegrafi: Keni arritur majat e suksesit në profesionin tënd, në shtetin e Kanadasë. Por ky sukses padyshim që ka patur shumë sfida, angazhime e përpjekje. Sa ka qenë e vështirë rrugëtimi i juaj deri tek ky sukses?
Flutura Mazreku: Rrugëtimi im ka qenë i mbushur me sfida dhe sakrifica. Unë në Kanada kam ardhur ne moshën 10 vjecare si refugjate, por familja ime vendosi të kthehet në Kosovë, ku qendrova 7 vite dhe u riktheva ne Kanada ne moshën 17 vjecare. Pavarësisht faktit që në Kosovë, unë pothuajse e kisha mbaruar shkollën e mesme, në Kanada më duhej ta filloja atë përseri nga fillimi. Për këtë arsye, universitetin e fillova 4 vite më vonë. Gjatë vitit të parë të studimeve, fillova të punoj në Parlamentin Kanadez dhe u detyrova të zhvendosem në Otavë, 600 kilometra larg familjës. Përveç, mallit për familjen, unë punoja dhe studjoja vazhdimisht dhe si pasojë nuk kisha kohë për argëtim. Ato vite, kanë qenë shumë të vështira, por nuk pendohem për asnjë sakrificë, sepse falë sakrificave sot i kam arritur qëllimet e mia.
Telegrafi: Pas gjithë përpjekjeve që kanë rezultuar me sukses, a mund të na tregoni se kush ju ka ndihmuar më së shumti gjatë këtij rrugëtimit tuaj?
Flutura Mazreku: Padyshim se mbështetjen më të madhe e kam gjetur tek prindërit e mi. Jo vetëm se prindërit gjithmonë më kanë dhënë kurajo, por babai im, i cili deri më sot është njeri ndër njerezit më të mencur që unë njoh, gjithmonë më ofroi këshilla të shëndosha. Gjatë studimeve të mia në filozofi dhe drejtësi, babai im ka lexuar shumicen e punimeve të mia akademike që unë i kam shkruajtuar, të cilat arrijnë deri në qindra ese. Ky akt mbase i vogël për të tjerët, ka pasur rëndësi të madhe për mua, sepse më pas, ne gjithmonë i kemi diskutuar idetë e mia apo idetë e filozofëve tonë të preferuar. Në fakt, tezën e magjistraturës ia kam kushtuar kryesisht prindërve të mi.
Telegrafi: Keni përfunduar studimet në Universitetin Carleton, University Ottava, dhe Western University, me suksese të larta. Pas përfundimit të studimeve duke u bazuar në rezultatet të shkëlqyera, jeni angazhuar në Universitetin Carleton, si Asistente, e po ashtu keni punuar edhe në Parlamentin e Kanadasë, dhe tani punoni në Qeverinë e Kanadasë. Cilat kanë qenë arsyet që ju kanë shtyrë që të jeni e para shqiptare në Kanada, një profesionin tuaj?
Flutura Mazreku: Unë gjithmonë kam qenë shumë ambicioze. Zhvendosja në Kanada më paraqiti shumë sfida, por ambicjet e mia kurrë nuk u lëkunden. Unë, gjithmonë kam lexuar dhe studiuar shumë. Kanadaja, është vend i mundësive, prandaj nuk do t’i lejoja sakrificat e prindërve të cilët u zhvendosën në Kanada në moshë jo të re, të shkojnë kot.
Telegrafi: Cilat janë synimet tuaja për të ardhëm?
Flutura Mazreku: Unë fitova gradën Master në Ligjin Ndërkombëtarë të Refugjatëve. Si shumica e kosovarëve, unë dhe familja ime ishim refugjatë gjatë luftës. Prandaj, kjo temë ka rëndësi të madhe për mua. Po ashtu, unë kam përvojë personale në sfidat e refugjatëve dhe i kuptoj vuajtet e tyre shumë mirë. Prandaj synimi im për të ardhmen është të punoj drejtpërdrejt në cështjet e refugjatëve. Po ashtu kisha pasur shumë dëshirë të kontribuoj në zhvillimin dhe avancimin e Kosovës, në çfarëdo kapaciteti të nevojshëm.
Telegrafi: A mund të na tregoni, nëse keni ndonjë ftesë nga ndonjë institucion në Kosovë, a jeni e gatshme që përvojën tënde ta sjellni në vendin tënd të origjinës?
Flutura Mazreku: Padyshim se po. Do të ishte privilegjë dhe nder i madh të kontriboja në vendim tim. Edhe pse Kanadanë e konsideroj si vendin tim, Kosova ka më shumë nevojë për talentin e shumë shqiptarëve të shtresës intelektuale dhe akademike që momentalisht gjënden anë e mbanë botës, sepse Kosova nuk ju ofron mundësitë e duhura.
Telegrafi: Përpos që gjithmonë jeni e gatshme, që më mundësitë e juaja, të shërbeni për të mirën e komunitetit dhe vendit të origjinës, a mund të na thoni se cili është bashkëpunimi juaj me komunitetin shqiptarë në Kanada.
Flutura Mazreku: Komuniteti shqiptar në Kanada është i ri, dhe ka ardhur si pasojë e luftës me statusin e refugjatëve. Në fillim, kishte vështirësi të mëdha, megjithatë, shoqëria kanadeze dhe institucionet qeveritare kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndihma materiale për integrimin e refugjateve në shoqërinë kanadeze.
Sot, mund të konstatohet, se përkundër sfidave dhe problemeve, komuniteti shqiptar është integruar në jetën publike, kulturore dhe ekonomike duke bërë progres të jashtëzakonshëm në krijimin e imazhit pozitiv të refugjatëve të dikurshëm, në qytetarë të dobishëm në shoqërinë kanadeze. Këtë e konfirmon edhe numri i madh i të rinjëve të cilët kanë studiuar në universitetet prestigjioze të Kanadasë, dhe kanë zënë vende të punës në institucione publike, korporata dhe veprimatri të tjera. Komuniteti shqiptarë për dy dekada ka arritë suksese të jashtëzakonshme, dhe unë jam krenare të jem pjesë e këtij komuniteti.
Telegrafi: Çfarë do t’ju kishe sugjeruar të rinjve nga Kosova të cilët pak a shumë e kanë të vështirë të depërtojnë në Universitetet më prestigjioze të botës?
Flutura Mazreku: Të rinjtë e Kosovës janë shumë të zgjuar dhe të përkushtuar për studime, përkundër shumë vështirësive dhe sfidave që hasin në rrugëtimin e tyre. Ata duhet të luftojnë për studime kualitative dhe kompetentive, në mënyrë që t’u hapet perspektiva në tregun e punës në Kosovë dhe më gjërë. Cilësia e studimeve është celësi i përspektives së të rinjëve, e këtë mund ta arrijn me punë dhe përkushtim.
Telegrafi: Si është jeta e një femre shqiptare në Kanada?
Flutura Mazreku: Jeta e një femre shqiptare në Kanada ka shumë shtresa. Jeta e një profesioniste të re, si unë, është e mbushur me obligime, por gjithmonë gjen pak kohë për argëtim. Jeta ime rrotullohet rreth punës, por në rrethana normale (d.m.th jo gjatë pandemisë) gjithmonë gjej kohë të takohem me shoqëri, shumica e të cilëve punojnë në Parlament apo në Qeveri. Po ashtu, jeta e shëndetshme ka shumë rëndësi për mua, prandaj çdo ditë i dedikoj pak kohë palestrit dhe ushqimit të shëndetshëm.
Telegrafi: Cili është mesazhi, apo porosia për të rinjtë, sidomos për femrat shqiptare, në mënyrë që edhe ato ta ndjekin ëndrrën e tyre drejt suksesit, në profesionin që ata dëshirojnë?
Flutura Mazreku: Mesazhi im për femrat shqiptare është t’i japin përparësi vetës. Femrat shqiptare gjithmonë i kanë dhënë përparësi të tjerëve. Por, secilën herë e më shumë e kuptojmë rëndësinë e avancimit dhe fuqizimit të femrave në shoqëri. Prandaj, femrat shqiptare duhet t’i ndjekin ëndrrat e tyre jo vetëm për vete, por për të mirën e gjithë shoqërisë./Telegrafi/Lumturije BEKAJ/