Intervistoi: Gazmend Kajtazi
Shumicës së njerëzve ua ka ndryshuar vetëdijen mbi veshjen dhe dukjen e tyre sot, por edhe dukjen e vet, pra çdo gjë mund të mësohet dhe çdo gjë mund të duket më ndryshe.
Thuhet që janë të nevojshëm vetëm disa sekonda që të krijohet përshtypja e parë për një person të caktuar.
Disenjatorja jonë e njohur flet për përvojat personale dhe për kurthet në skenën e modës, për krijimtarinë e saj të gjithanshme dhe për klimën afariste në sferën e modës…E gjithë kjo, por edhe shumë më tepër, ju pret në vazhdim!
Fillimi i karrierës sime të modës ishte një spontanitet paksa i diktuar nga rrethanat e kohës, por më vonë u konvertua në një pasion të madh, i cili i dha shtytje te fuqishme për më tutje. Moda është një lami përplot me vështirësi, andaj sigurisht që fillestaret edhe atje ndeshen me sfida të mëdha të cilat duhet t’i sfidojnë që të mbijetojnë në këtë skenë. Mirëpo, bazuar në faktin se veprojnë dhe punojnë në atdheun e vet, kjo flet për një parametër të fuqishëm që ata posedojnë që ju lehtëson mbijetesën në treg.
Ka kohë që punoj në këtë drejtim, është vështirë të krijohet dhe të mbahet në treg një brend, sepse është një punë mjaft komplekse dhe e varur nga shumë faktor, por nëse qëllimi arrihet atëherë sigurisht që është hap shumë i mirë dhe i fuqishëm afarist.
Mirëpo, ekziston edhe zgjedhja për të shkuar jashtë vendit… Zgjedhja juaj doli të jetë e shkëlqyeshme, mirëpo nuk ishte aspak e lehtë.
Jam njeri që shikoj vetëm përpara, nuk e kthej kokën pas për atë që iku… andaj shkuarja ime jashtë vendit ishte jo e rastësishme. Mendoj se ka qenë zgjedhja e duhur që kam ndërmarr nën diktatin e kohës dhe rrethanave. Dostojevski ka thënë se: "Njeriu është një kryevepër që dinë të adaptohet!", andaj edhe unë u adaptova në një botë të re, fillimisht të panjohur për mua, më shumë X&Y…
Gjithsesi, nuk do të thotë shkuarja jashtë vendit është alternativa më e mirë, me rëndësi është të punohet dhe të krijohet aty ku gjendeni…
Është e pamundur t’i qëllohet shija të gjithë njerëzve, mirëpo grupit të caktuar po. Klientela ime më dëshirë dhe pasion pranon veshjet e mia, asnjëherë nuk jam hamendur para punës dhe i kam qëndruar besnike vijës sime. Këtu duhet të përmend edhe një argument: sortimin e kreacioneve për ku dhe çfarë dedikohen ato tema, qëllimi, përdorimi etj…
Kreacionet artistike – të posaçmet krijohen me qëllim që të ngjallin emocione dhe që të mblidhet publik artdashës, e disa tjera për të thyer tabutë.
Studimet janë njohuri profesionale, ndërsa që të përballohen sfidat, kërkohet edhe kompetenca personale: talenti dhe inteligjenca (shkathtësia në zgjedhjen e problemeve) si dhe përvoja të cilat e mveshin gjithë aktivitetin, pastaj hulumtimi i tregut, marketingu, etj…Një rol të madh luan edhe kompetenca sociale, me fjalë tjera, është një luftë në dy arena. Në një arenë, lufta si artiste dhe në arenën tjetër si afariste, në këto dy vija paralele, mendoj se po qëndroj mirë.
Evenimentet dhe sfilatat e modës më së miri e sfidojnë konkurrencën. Cili është investimi juaj në këtë drejtim?
Evenimentet dhe sfiliatat janë ngjarje komplekse, thithin shumë financa dhe energji mendore e shpirtërore. Kam investuar mjaft mjete financiare, mendjen dhe shpirtin tim, kreativitetin, punën time të palodhshme dhe çdo herë duke qenë autokritike dhe duke tentuar në perfeksion. Gjithë ky aktivitet në mejdan, zhvillohet me qëllim sfidimi të konkurrencës. Aty, maten shumë parametra, si psh, se cilat nivele preken, fuqia në investime dhe promovimi i vlerave etj., e gjithë kjo në suazën e marketingut, por që nuk garanton treg.
Me korporatën "Miss Germany Corporation", kemi filluar një bashkëpunim që do të vijojë edhe më tutje. Është një korporatë me tradite 60 vjeçare dhe që mban primatin në Gjermani, e cila rreth saj mbledh shumë yje gjermane dhe nga bota. Andaj puna me këtë nivel, kërkon kritere strikte që duhet përmbajtur. Gjermanët elitar janë kryesisht konservativ, andaj gjatë dizajnimit të veshjes për “Miss Gjermania”, duhet të mbahen disa rregulla. Gjithsesi, e përzgjedhura duhet së pari të duket si një Princeshë dhe jo si një Popstar (për ilustrim mora këtë krahasim ekstrem). Duke pas për bazë këto kritere, për mua nuk ishte aq e vështirë që të qëlloj shijen që kërkohej dhe pala gjermane të ndahej e kënaqur.
Është jashtëzakonisht aktuale që disenjatorët i fotografojnë pjesët e rrobave të tyre në yjet më shumë apo më pak famë botërore, gjë që është formë e promovimit internacional, ndonëse të produktivitetit mjaft diskutabil.
Çdo dizajner bënë përpjekje që veshjet e tyre t’i veshin yjet në aktivitetet e tyre, pasi që prezenca e medieve fokusohet te ata dhe publiku i përcjell me kuriozitet. Shpesh herë janë veshje kiçi, pa stil, pa kritere, por qëllimi është që të janë sa më bombastike-shpërthyese, të bien në sy dhe të diskutohen. Është një strategji e marketingut, mirëpo nuk do të thotë se një promovim i tillë siguron klientelen, sepse jo gjithë femrat e botës duan të vishen psh. si Kim Kardashian.
Nuk është atribut i imi "promovimi sa për të promovuar", kam derdhur energji dhe kam punuar seriozisht në këtë drejtim. Shpesh herë ka pas vështirësi, sepse është dashur që të punohet në trusninë e kohës, me mjetet aktuale, etj…Kam pasur rastin kur një promovim në Hamburg e kam përgatit për dy ditë! Momentin duhet kapur.
A ekziston ndonjë kreator mode, koleksionin e të cilit nuk do t’i linit pa e vizituar?
Çdo koleksion i ri është një botë e re, është një frymë e re. Jam kureshtare për çdo gjë të re, e adhuroj stilin e Armanit, mendoj se patjetër ia vlen t’i përcjellim koleksionet dhe punën e tij, jashtëzakonisht të madhe.
Jam pak sa boheme në shpirt, më pëlqejnë udhëtimet, sepse më mbushin jetën, më mbushin me inspirim dhe frymëzim, hapen horizonte të reja…Sikur arkitektura, ashtu edhe veshja ndryshon nga vendi në vend, shija është një çështje diskutabile, mirëpo unë mendoj se evropianët vishen bukur dhe me stil. Ata, përzgjedhin veshjen sipas shijes individuale dhe duke iu përshtatur vendit, kohës dhe rastit…
Sipas mendimit tuaj, ku e ka vendin moda sot? Në kulturën masive, në atë elitare apo në rrjetet sociale? E ardhmja a është e teknologjisë apo e zejtarisë?
Gjithsesi se moda është gurthemel i kulturës së një shoqërie dhe si e tillë luan rol shumë të madh. Gjermanet citojnë “kleider machen leute” që në gjuhën shqipe, do të thotë “veshja të bënë njeri”. Pra, është shpërthim i brendshëm i shpirtit që reflektohet jashtë. Në civilizimin e sotëm, mendoj se, është duke u krijuar një botë e re ku moda e mirëfilltë i përket kulturës elitare, ndërsa masa veshjen po e përdor si mjet funksional ("me krye punë"), kurse në rrjetet sociale është një miks ku ka më tepër shund. Rrjetet sociale po shërbejnë si platforma adekuate, ku fuqishëm po depërton marketingu …
Me zhvillimin e hovshëm të teknikës dhe mundësive të reja për punë, mendoj se e ardhmja i përket teknologjisë, ndërsa zejtaria më ngadalë po mbetet si një suvenir në muze.
Pas luftës, në fazën e tranzicionit, njerëzit kanë qenë të ballafaquar me sfida të ndryshme, andaj vërehet dukshëm një shpërthim edhe në këtë fushë, që shumëkush e ka gjet si shpëtim nga situatat e rënda për mbijetesë. Mendoj se në Kosovë nuk ka treg të fuqishëm, as për prodhuesit vendor dhe as për importues, edhe pse bazuar në shifrat që publikohen del se ka një import jashtëzakonisht të madh. Poashtu, vërehet një shpërthim i vrullshëm ku mediet, jo rrallë herë, hapësirat e tyre tentojnë t’i mbushin me faqe rozë, modën e plasojnë si art pamor të lakmueshëm që të mbledhin rreth vetes sa më shumë frekuentues në njërën anë, e në anën tjetër është edhe një luftë mediatike e bizneseve që mundohen të tejkalojnë konkurrencën.
Vërtetë është një ishull, si Itaka e Odiseut, i cili duhej të kalonte shumë e shumë barriera që të arrijë te ëndrra e tij e jetës – te Penelopa, e cila padyshim po e priste me aurorë mbi kokë.
Për të pasur stil a është e domosdoshme të kesh edhe para?
Stili e ka bazën në ADN dhe për të pasur inteligjencë dhe stil, nuk të duhen para, por gjaku i trashëguar. Pastaj, paraja si instrument mekanik është ajo që e lubrifikon atë dhe që i jep shkëlqim.
Ka disa truke se si të stilizohet një veshje adekuate për një figurë të caktuar. Zakonisht, për figurat e gjata dhe të dobëta, duhet përzgjedh veshjen me dizajnime tërthore, ndërsa figurat e shkurta me dizajnime vertikale. Zonat trupore me probleme, duhet të mbulohen, ndërsa ato të bukurat të theksohen. Psh, figurat me probleme në zonën e ijëve, preferohet që t’ju shmangen pantallonave të ngushta dhe në formë karote, por të zgjedhin pantallona në formë të drejtë ose të stilit Marlene Dietrich. Poashtu, edhe minifundet duhet shmangur, për këto figura unë propozoj modele të siluetës në A-formë. Rol të rëndësishëm luajnë edhe aksesorët si shallet dhe bizhuteritë rreth qafës, sepse tërhiqet vëmendja në këtë zonë.
Veshja për mua është diçka e bukur dhe e dashur, aspak e tmerrshme, andaj përzgjedh veshjen me të cilën ndjehem mirë. Por, që të rri në përkufizim të pyetjes, mundem të cek se veshjet e ngushta si lateksi etj., janë diçka të "tmerrshme" që kurrë nuk do të gjenin vend në gardërobën time, ndërsa këpucët me lidhëse më nervozojnë shpesh…
Në botën e modës temë tabu më e shpeshtë është pesha trupore e modelit. Cili është mendimi juaj për linjën trupore të tyre, pozitën, por edhe fotografinë që jua dërgojnë?
Sigurisht që një modele e mirë nuk duhet të ketë celulit. Modelet që përzgjidhen për sfilita, duhet të posedojnë dimensionet e caktuara si në masë edhe në peshë. Përveç këtyre atributeve, ato duhet të kenë aftësi që të luajnë rolin dhe si artiste të prezantojnë veshjet. Me fjalë tjera, t’i japin frymë kreacionit. Kjo është dëshira e çdo dizajneri, në bazë të fotove që më dërgojnë modelet, lehtë mundem të vlerësoj se a i plotëson apo jo.
Po i kthehem sloganit te lartpërmendur "veshja të bënë njeri", andaj vajzat duhet të kenë shumë kujdes në veshje, sepse janë në fillim të jetës dhe në bazë të veshjes krijojnë edhe statusin social që i përcjell gjatë jetës. Pra, ato i "caktojnë" vetes pozitën në shoqëri, ndërsa femrat afariste duhet gjithsesi të jenë diskrete në veshje e jo provokative, duhet të imponojnë personalitetin dhe aftësitë profesionale e më pastaj feminitetin. Mashkulli modern kualitativ, për mendimin tim, duhet të përzgjedh një veshje elegante – sportive dhe jo të ngarkuar me shumë elemente, një mashkull tejet i teletisur duket qesharak.
Si edhe shumë ekspertë nga bota e modës, a mendoni edhe ju që sot moda është e njëtrajtshme dhe që ka gjithnjë e më pak koleksione të cilat dallohen me diçka të posaçme?
Dinamika e jetës moderne ka diktuar edhe shumë faktorë tjerë në të cilët ne jetojmë sot. Sikur në arkitekturë, ashtu edhe në veshje, janë krijuar shumë binarë, në të cilat po lëviz njerëzimi. Veprat kolosale të renesancës dhe barokut mbeten si relikte të papërsëritshme, ndërsa sot tendencat që sa më shumë veshja t’i përshtatet rrethanave të reja të jetës dhe punës, e kanë thjeshtëzuar dhe komercializuar atë, e kanë orientuar në njëtrajtshmëri duke anashkaluar të posaçmen si art.
Si inspirim i imi ka qenë e pavdekshmja Coco Chanel, ndërsa stilin e kam ndërtuar bazuar në personalitetin tim. Jam origjinale, jam vetja.
Çka do të dëshironit të perfeksiononit tek vetja dhe cilat janë qëllimet tuaja në të ardhshmen?
Perfeksionizmi nuk ekziston, sepse nuk ka shkallë që të matet dhe të përkufizohet. Është i papërkufizuar ‘No limit’, për momentin më duhet edhe pak kohë që të arrij ishullin e Itakës sime… /Telegrafi/