Gjyqtari që ndodhej në dhomën e VAR-it në ndeshjen ndërmjet Anglisë dhe Danimarkës në gjysmëfinale të ‘Euro 2020’, Pol van Boekel, ka thënë se penalltia e akorduar për Tre Luanët në vazhdime ishte vendim i ashpër, mirëpo për shkak të protokollit të VAR-it ishte i detyruar ta mbështeste gjyqtarin për vendimin e tij përfundimtar.
Danny Makkelie, i cili ishte gjyqtari kryesor i takimit, akordoi penallti për anglezët në minutën e 104, të cilën e konvertoi në gol Harry Kane dhe e dërgoi Anglinë në finale.
Mirëpo, ajo penallti kishte shkaktuar reagime dhe kundërthënie të shumta, ndërsa akoma po diskutohet edhe pse ka përfunduar Kampionati Evropian.
https://twitter.com/Alexandr3115/status/1414664548599140354
Van Boekel, i cili ndodhej në dhomën e VAR-it dhe në fund e mbështeti vendimin e Makkelie, ka theksuar se nuk ishte e qartë nëse vendim i gjyqtarit ishte i gabuar dhe se ai nuk mund ta anulonte vendimin për penallti.
Sipas tij, i tillë është protokolli i VAR-it, ndërsa nuk ka sqaruar se pse nuk e kishte këshilluar gjyqtarin kryesor që ta shikonte edhe një herë situatën.
“Shpesh e pyes veten se çfarë do të kishte ndodhur po të kisha ndërhyrë. I kuptoj kritikat, por jo në adresë time. Gabimi eventual i Makkelie nuk ishte i qartë, nuk mund të bëja asgjë. Nga një kënd i kamerës e pashë që kishte ardhur deri te kontakti ndërmjet mbrojtësit dhe sulmuesit, por mendoj se ndëshkimi (penalltia) ishte vendim i ashpër”.
“Megjithatë, në një situatë të tillë doemos duhet ta mbështes gjyqtarin, i tillë është protokolli i VAR-it. Ne kemi udhëzime të qarta se si të veprojmë si VAR”, ka thënë Van Boekel në një konferencë për shtyp.
Pol van Boekel u bë gjyqtar i FIFA-s në vitin 2008, ndërsa nga viti 2006 kishte filluar ta ndajë drejtësinë në kampionatin holandez. /Telegrafi/