Me rezultat 4-1, Flamurtari e ka mposhtur Vllazninë e Pozheranit, në ndeshjen e javës së 31-të të Vala Superligës së Kosovës në futboll.
Të parët kaluan në epërsi lojtarët mysafirë me golin e Orhan Miftarit (23′), mirëpo reagimi i vendasve ishte i shpejtë për ta barazuar rezultatin me anë të Egzon Krasniqit (27′).
Lojtarët e Flamurtarit përmbysën gjithçka që në pjesën e parë duke i realizuar dy gola të tjerë, përmes Almir Ajzerajt (35′) dhe Granit Ahmetit (44′).
Në minutat e fundit të takimit, Flamurtari realizoi edhe golin e katërt, golashënues ishte Alban Shillova (88′).
Në ndeshjen tjetër, Trepça ’89 e ka fituar ndeshjen përballë Besës (2-0) në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë.
Një gol u shënua në pjesën e parë edhe atë nga nikoqirët. Pas një penalltie të akorduar në favor të vendasve, Oto John u tregua i saktë nga pika e bardhë (37′).
Në gjysmën e dytë, Minatorët e shënuan edhe një gol me anë të Aleksandar Bagasovskit (56′) duke i fundosur kështu shpresat e skuadrës pejane për rikthim.
Pas fitores, Flamurtari e ka siguruar barazhin për mbijetesë në Superligë, ndërsa Besa për herë të parë bie nga elita e futbollit të Kosovës. /Telegrafi/