Site icon Telegrafi

‘flameZ’ dhe ‘broky’ parashikojnë se dy talentët nga Kosova do të dominojnë botën e CS2 në vitin 2025

Dy lojtarët e rinj nga Kosova, të cilët janë pjesë e ekipit NAVI Junior, një prej organizatave më të mëdha në botën e CS2, Drin “makazze” Shaqiri dhe Aulon ‘Krabeni’ Fazlija janë parashikuar si dy yjet që do të shpërthejnë në botën e CS2 në vitin 2025.

HLTV ka filluar numërimin mbrapsht më 25 dhjetor dhe nga ajo ditë, çdo ditë e kanë zbuluar nga një emër derisa të arrijnë më 11 janar kur do të mbahet ndarja e çmimeve dhe do të zgjedhjet ‘Lojtari i Vitit’ në CS2.

Deri tani ata kanë zbuluar lojtarët që kanë zënë pozitat nga 20 deri në vendin e shtatë dhe gjatë ditëve të ardhshme do të zbulohen edhe emrat e gjashtë lojtarëve më të mirë.

Në pozitat tetë dhe shtatë vendet i kanë zënë Helvijs ‘broky’ Saukants, respektivisht Shahar ‘flameZ’ Shushan, të cilët kanë dhënë edhe intervista për HLTV.

Megjithatë, ajo çka bie në sy dhe na intereson neve, është se të dy lojtarët në pyetjen apo parashikimin e guximshëm të vitit 2025, kanë zgjedhur emra të lojtarëve nga Kosova, të cilët mendojnë se do të shpërthejnë këtë vit dhe do të përfundojnë në ‘top 20’ të HLTV, shkruan Telegrafi.

Letonezi ‘broky’ ka thënë se Drin ‘makazze’ Shaqiri do jetë në top 20 lojtarët më të mirë të HLTV për 2025, kurse izraeliti ‘flameZ’ në listë ka shtuar edhe talentin tjetër nga Kosova, Aulon ‘Krabeni’ Fazlija.

“Kam luajtur me makazze në FPL dhe ai duket shumë i mirë, ai është super i mprehtë në lojë”, ka thënë fillimisht flameZ .

“Krabeni meriton gjithashtu një vlerësim, ndjej se ata do të jenë super të mirë si dyshe. Por gjithashtu isha shumë i lumtur që luaja me të dy individualisht dhe më bëri super përshtypje”, përfundoi lojtari i shtatë më i mirë në botë për këtë vit. /Telegrafi/

Exit mobile version