Ky është momenti kur pasagjerët e tmerruar u detyruan të dilnin nga dalja e urgjencës së një aeroplani pasi flakët filluan të dilnin nga motori i një Boeing pak çaste përpara nisjes.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, aeroplani Boeing 737-500, i nisur për në qytetin e Wamena, u përfshi nga flakët në aeroportin Sentani në Jayapura, Provinca Papua, Indonezi të martën, duke detyruar 121 pasagjerët e tij të evakuohen.
Ndërkohë disa pamje të tmerrshme treguan se si tymi dilte nga motori i aeroplanit, ndërsa një video tjetër kapte momentin kur pasagjerët duhej të qëndronin në krahun e aeroplanit ndërsa prisnin radhën e tyre për të zbritur.
Njerëzit në bordin e aeroplanit u panë gjithashtu duke rrëshqitur poshtë një “rrëshqitëseje emergjente të fryrë”, ndërsa britmat dhe sirenat dëgjoheshin në sfond.
Një pasagjer thuhet se e vuri re zjarrin dhe u kap nga paniku, duke i shtyrë ata të hapnin derën e urgjencës ndërsa u bërtisnin udhëtarëve të tjerë.
Fluturimi thuhet se është anuluar dhe dy të tjerë janë vonuar për shkak të zjarrit. /Telegrafi/