Site icon Telegrafi

Fjalori mortor: Rregullat me rastin e shprehjes së ngushëllimeve

Te shfaqja e ngushëllimeve gjithmonë është me rëndësi që të viheni në pozitën e personit të pikëlluar.

Lexoni se si është bontoni i shprehjes së ngushëllimeve në situata të tilla, transmeton Telegrafi.

Me rastin e shprehjes së ngushëllimeve gjithmonë frikohemi që të mos themi diçka të pamatur apo me shprehjen tonë të mos i lëndojmë të pikëlluarit.

Mënyra më e mirë me të cilën mund të shfaqni ngushëllime është që personit të pikëlluar t’i ofroni bashkëndjenjën dhe brengosjen tuaj, qëndroni pranë tij dhe ofroni ndihmën tuaj dhe i tregoni që brengoseni për të.

Bontoni i ngushëllimeve gjithashtu urdhëron që ngushëllimet t’i shprehni gojarisht ose me shkrim, por jo nëpërmjet rrjeteve shoqërore dhe porosive SMS.

A ekziston kultura e duhur gjuhësore ndër ne në një rast të tillë? Shpesh vdekja e njerëzve të dashur na lë pa fjalë. Ajo e bën shumë të vështirë gjetjen e fjalëve të duhura për gjithë çka shpirti ndjen.

Ndonjëherë njerëzit dinë të thonë diçka që atyre në atë moment u duket e arsyeshme, mirëpo në esencë nuk është ashtu. Keni parasysh që personi i pikëlluar në atë moment ndihet shumë emocional, andaj deklarimin mund ta kuptojë ndryshe nga ajo që ju keni dashur ta interpretoni.

Mënyra e dëshiruar e shprehjes së ngushëllimeve:

“Më vjen keq për humbjen tuaj” – kjo është shprehja më e shpeshtë dhe më e përshtatshme, sepse personit i bëni me dije që edhe juve ju vjen keq, edhe pse jo në masën e njëjtë, që personi i vdekur më nuk ekziston.

“Ishte person i mrekullueshëm” – këtu mund edhe të ndani ndonjë kujtim të bukur të cilin e keni për të ndjerin.

“Do të na mungojë” – me këtë shprehje i tregoni personit të pikëlluar që nuk është i vetëm në pikëllimin e vet.

Bontoni i shprehjes së ngushëllimeve – deklarimet e padëshiruara:

Mos e mohoni vdekjen e të ndjerit – personit të pikëlluar i nevojitet një periudhë e pikëllimit dhe ballafaqimi me të vërtetën, në mënyrë që më vonë ta ketë më lehtë.

Mos mohoni vuajtjen e personit të pikëlluar – vdekja është jashtëzakonisht e rëndë dhe e dhimbshme për secilin.

“Tani është në vendin më të mirë” ose “Së paku nuk ka vuajtur” – edhe pse personi i vdekur ka vuajtur nga sëmundja e rëndë, të pikëlluarit vdekja kurrë nuk do t’i tingëllojë si opsioni më i mirë.

“Si je” ose “Si po mbahesh?” – që më parë e dini që personi është në pikëllim të madh, andaj kjo pyetje vërtet është e panevojshme.

“Nuk e di se si do ta kisha përballuar që (dikush) imi të vdiste” – kështu vetëm sa do t’i shkaktoni pikëllim edhe më të madh personit të pikëlluar, sepse ia përkujtoni humbjen e tij.

“Mos u brengosni, së shpejti do të ndihesh mirë” – kjo është e vërtetë, mirëpo lejoni personin të jetë i pikëlluar.

Përdorimi i shprehjeve të tilla si: “Jeta vazhdon”, jo vetëm që është i papranueshëm për personat që mbajnë zi, por as nuk e ndihmon lehtësimin e pikëllimit, aq më pak i ngushëllon ata. /Telegrafi/

Exit mobile version