Telegrafi

Me fjalën “Inshallah”, Haaland ka njoftuar se kur do të jetë debutimi i tij për Manchester Cityn

Sulmuesi norvegjez Erling Haaland ka paralajmëruar debutimin e tij për Manchester Cityn në duelin kundër Bayern Munich, i cili do të luhet në orët e para të mëngjesit të së dielës.

Qytetarët mbrëmë zhvilluan ndeshjen e parë miqësore për sezonin e ardhshëm dhe fituan ndaj Club America nga Meksika me rezultat 2-1.

Skuadra e Guardiolës kaloi në epërsi në minutën e 30-të me golin e De Bruyne, por Club America u rikthye me gol të Martinit në minutën e 43-të për 1-1.

De Bruyne shënoi golin e dytë në këtë ndeshje për rezultatin përfundimtar 2-1.

Në pjesën e dytë, Guardiola u dha një shans shumë lojtarëve nga bankina dhe mes tyre nuk ishte Erling Haaland, i cili të 90 minutat i shkoi na banka rezervë.

Duke qenë se sot ka ditëlindjen, klubi i ka dërguar një mesazh urimi në faqen zyrtare dhe pas falënderimit ka bërë të ditur se minutat e para për klubin e ri do t’i luajë kundër Bayern Munich.

“Faleminderit. Debutimi kundër Bayern Inshallah”, shkroi Haaland në reagimin në Twitter.

Haaland luajti gjithsej 89 ndeshje për Borussia Dortmund, duke shënuar 86 gola dhe duke regjistruar 23 asistime.

Edhe pse është vetëm 22 vjeç, ai tashmë ka shënuar gjithsej 135 gola në karrierën e tij.

Norvegjezi iu bashkua me kampionët e Anglisë për 75 milionë euro. /Telegrafi/