Site icon Telegrafi

Fitore spektakolare e Skënderbeut, mban gjallë shpresat për kualifikim (Video)

Skënderbeu i Korçës ka marrë fitoren e parë në kuadër të Ligës së Evropës duke mposhtur Dinamon e Kievit 3-2.

Skënderbeu e nisi mirë ndeshjen, kur qysh në minutën e dytë rrezikoi portën e mysafirëve.

Ishte mbrojtësi kroat Marko Radas që tentoi nga gjuajtja e lirë, por portieri mysafir ishte në vend.

Gjithsesi të parët që shënuan ishin mysafirët nëpërmjet mesfushorit ofensivë Tsygankov, në minutën e 16-të, pas asistimit nga Morozyuk.

Por, epërsia e ekipit ukrainas zgjati vetëm 60 sekonda, pasi Skënderbeu arriti të barazonte rezultatin.

Gjergji Muzaka asistoi tek Sabien Lilaj, i cili me një goditje të fuqishme nga rreth 25 metra, shënoi dhe barazoi rezultatin në 1-1.

Me rezultatin e barabartë 1-1 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Por, pjesa e dytë për korçarët nisi edhe më mirë, pasi arritën të shënonin vetëm pas shtatë minutave lojë.

Gledi Mici harkoi për mrekulli në zonë ndërsa Sowe asistoi me kokë tek James, i cili shënoi nga afërsia për 2-1.

Vetëm katër minuta më vonë, klubi bardh e kuq shënoi edhe golin e tretë në këtë sfidë.

Enis Gavazaj asistoi bukur tek Ali Sowe, i cili pasi kaloi edhe portierin mysafir shënoi për 3-1.

Ndërkohë, golin e dytë për mysafirët e shënoi zëvendësuesi Rusyn në minutën e fundit.

Fitorja e parë Skënderbeun e ka ngritur në pozitën e tretë në Grupin B, me pesë pikë të tubuara pas pesë ndeshjeve.

Klubi shqiptar do të tentojë kualifikimin dhe për këtë i duhet një mrekulli, pasi duhet të mposhtë Young Boysin në udhëtim me tre gola diferencë dhe duhet të shpresojë në humbjen e Partizanit të Beogradit me tre gola diferencë. /Telegrafi/

https://vid.me/zmxdp

https://vid.me/R2awR

https://vid.me/DjKEB

https://vid.me/Y7GUw

Exit mobile version