Franca e ka regjistruar fitoren e tretë në kuadër të kualifikimeve për ‘Euro 2020’ duke mposhtur Andorrën në udhëtim me rezultat 4-0.
Kylian Mbappe e zhbllokoi rezultatin në minutën e 11-të pas asistimit nga Antoine Griezmann. Rezultatin e dyfishoi Wissam Ben Yedder pas gjysmë ore lojë, kur u asistua nga Florian Thauvin.
Në fund të pjesës së parë (45’+1), Les Bleus e shënuan edhe një gol, ndërsa realizues ishte Florian Thauvin, teksa në këtë gol u përfshi Mbappe që dhuroi asistimin.
Rezultatin përfundimtar e vendosi Kurt Zouma (60′) me golin e vetëm të shënuar në pjesën e dytë.
Kampioni i botës numëron nëntë pikë pas katër xhirosh dhe qëndron në krye të Grupit H me pikë të barabarta me Turqinë dhe Islandën, derisa Shqipëria në vend të katërt ka tri pikë më pak. /Telegrafi/