Telegrafi

Fitore me rikthim të çmendur nga Borussia Dortmund, shkrin disavantazhin me dy gola nga pjesa e parë

Borussia Dortmund ka bërë një rikthim të çmendur ndaj Eintracht Frankfurt, duke fituar në fund me rezultat 3-2 edhe pse ishte me dy gola në disavantazh nga pjesa e parë.

Ndeshja nisi më mirë për Borussia Dortmund që rrezikuan që në minutën e dytë me Thomas Meunier, por gjuajtja e tij u ndal nga portieri.

Në minutën e 15-të erdhi goli i parë në ndeshje. Rafael Borre i Eintracht Frankfurt shënoi një gol të bukur me një goditje volej për 1-0.

I njëjti lojtar sërish i shkaktoi kokëçarje Borussia Dortmundit. Zhvillohej minuta e 24-të kur argjentinasi Borre shënoi për 2-0.

Krejt në fundin e pjesës së parë Dortumund kishte dy raste të mirë me Matss Hummels dhe Donyell Malen, por asnjeri nuk shënoi.

Pjesa e dytë ishte më e qetë, me Eintrachtin që dëshironte të ruante epërsinë e krijuar, duke mos lënë shumë hapësira prapa.

Borussia Dortmund arriti të kthehej në lojë në minutën e 71-të, kur Thorgan Hazard shënoi për 2-1 pas asistimit të Erling Haaland.

Milionerët shtuan presionin në fushën e vendasve dhe gjetën barazimin në minutën e 87të me Jude Bellingham që shënoi për 2-2.

Rikthimi i çmendur u realizua në minutën e 90-të, kur Mahmoud Dahoud shënoi për 3-2.

Me këtë fitore Borussia Dortmund mbetet në vendin e dytë me 37 pikë, tashmë gjashtë më pak se Bayern Munich./Telegrafi/