Manchester City ka siguruar fitoren e parë të madhe që mund të krijojë telashe për të gjithë klubet e tjera në Ligës Premier dhe të shtojë dominimin e “qytetarëve” në kampionatin anglez.
Një panel i pavarur ka gjykuar sot se rregulloret e vendosura për të ndaluar “fryrjen” e sponsorizimeve të lidhura me persona të klubit janë të paligjshme.
Në një çështje e cila nuk bën pjesë në grupin e 115 akuzave të ngritura ndaj Man Cityt për thyerje të rregulloreve financiare, “qytetarët” kishin kërkuar të shpallej i pavlefshëm komisioni i cili përcaktonte nëse një marrëveshje sponsorizimi e klubit vlerësohej e fryrë apo përputhej me vlerën e tregut që kishte secili prej tyre.
Rregullorja në fjalë dhe autoriteti kontrollues u ndërtuan pasi Newcastle kaloi në pronësi të Arabisë Saudite dhe kishte si qëllim që të shmangte mbushjen e arkave të klubit nëpërmjet sponsorizimeve të kompanive të lidhura me pronarët.
Por tashmë paneli vlerëson se këto rregullore shkelin parimin e konkurrencës së lirë dhe i ka shpallur të jashtëligjshme, duke i hapur rrugë klubeve si Man City që janë në pronësi të Emirateve të Bashkuara Arabe, që të bëjnë marrëveshje shumë fitimprurëse me kompani nga ky shtet.
Një nga argumentet në favor të Man Cityt ishte se ndërkohë që ndaloheshin marrëveshje të tilla sponsorizimi, klubeve u lejohej të merrnin shuma marramendëse hua nga pronarët e tyre.
Club statement
— Manchester City (@ManCity) October 7, 2024
Kjo mund të ndryshojë në mënyrë të dukshme situatën në Ligën Premier, pasi Man City apo Newcastle, do të kenë më shumë financa në dispozicion pasi nuk mund të ndalen që të bëjnë marrëveshje të tilla me kompani nga vende që kanë kontrollin e këtyre klubeve. /Telegrafi/