Telegrafi

Fitoi vendin e tretë në kampionatin për çiklizëm, Sejdiu tregon sfidat përgjatë rrugëtimit

Çiklisti nga Mitrovica, Edmond Sejdiu

Çiklisti nga Mitrovica, Edmond Sejdiu, gjatë këtyre ditëve ka fituar vendin e tretë në kampionatin e Kosovës në çiklizëm.

Sejdiu në një intervistë për Telegrafin ka thënë se përgatitjet për këtë kampionat i kishte filluar qysh në muajin prill, por, siç ka thënë ai duhet të stërvitet çdo ditë që një çiklist të jetë në formë perfekte.

Çiklisti ka thënë se sfidë e tyre janë gjithmonë stërvitjet që bëhen çdo ditë, siç i ka cilësuar ai “të lodhshme”, të cilat zgjasin nga tre deri në shtatë orë.

“Vlen të ceket edhe rreziku në komunikacion ku për fat të keq nga disa vozitës nuk jemi të respektuar si çiklist dhe jemi në rrezik të përditshëm”, ka thënë tutje ai.

Ai është shprehur se në bazë të stërvitjeve që i ka bërë pritshmëritë e tij në këtë garë kanë qenë më të mëdha, derisa shprehet i kënaqur me vendin e tretë që e ka fituar.

Çiklisti ka shtuar se klubi i çiklizmit nga ai vjen, KÇ Trepça, nuk ka asnjë përkrahje institucionale.

“Andaj çdo shpenzim e kam mbuluar me mjete të mia dhe mund të them lirisht se ka qenë një rrugëtim shumë i vështirë. Sporti i çiklizmit ka shpenzime të përditshme dhe pa përkrahjen e askujt ka qenë shumë e vështirë të arrihet edhe rezultati aktual”, ka shtuar mes të tjerash Sejdiu.

Ai ka treguar se klubi KÇ Trepça aktualisht nuk ka asnjë sponzor financiar dhe se sipas tij, në çdo garë që organizohet gjatë këtij viti shpenzimet i mbulojnë me mjetet e tyre personale.

Sejdiu ka potencuar se gjatë këtij viti pritet të mbahet gara ndërkombëtare “Tour of Kosova 2024”, e cila do të zhvillohet me ekipe nga shtete të ndryshme.

“Për këtë garë unë si çiklist duhet të përgatitëm fort sepse niveli i garës është shumë i fortë. Shpresojmë se do të gjejmë përkrahje në një të ardhme të afërt sepse në kushte të tilla si tash është shumë e vështirë të arrijmë suksesin”, ka përfunduar çiklisti nga Mitrovica, Edmond Sejdiu. /Telegrafi/