Telegrafi

Fisnik Asllani një makineri e golave, shënon dy herë ndaj Darmstadtit dhe konfirmon formën pozitive

Sulmuesi kosovar Fisnik Asllani ka vazhduar me formë të lartë në kategorinë e dytë të futbollit gjerman.

Asllani arriti sot (e shtunë) që të shënojë dy gola në takimin ndaj Darmstadtit, duke konfirmuar kështu formën pozitive para grumbullimit me Kosovën për ndeshjet e shtatorit.

22-vjeçari ishte lojtari më i mirë në fushë në fitoren e thellë 4-0 të Elversbergut, duke arritur që të shënojë fillimisht në minutën e 22-të për 2-0 dhe më pas në minutën e 59-të për 3-0.

Me këta dy gola të shënuar, ylli dardan tani kap shifrën e katër golave të realizuar ndërsa ka edhe një asistim.

Ai ka marrë ftesën e përzgjedhësit Franco Foda për dy ndeshjet ndaj Rumanisë dhe Qipros në Ligën e Kombeve, ku pritet të jetë një ndihmesë e madhe për ‘Dardanët’.

Kujtojmë se ky është sezoni debutues i Asllanit në Gjermani andaj mund të themi lirshëm që më mirë as ai nuk do ta kishte imagjinuar se do të ishte fillimi i jetës atje./Telegrafi/