Telegrafi

Firefox para Internet Explorerit në Evropë

Kjo është hera e parë që shfletuesi i Microsoftit ka humbur udhëheqjen në njërën prej tregjeve të mëdha të botës.

Në dhjetor Firefox ka mbajtur 38.1 për qind të tregut evropian, derisa pjesëmarrja e Internet Explorerit ka rënë në 37.5 për qind. Mirëpo rritjen më të madhe e ka shënuar Google Chrome pjesëmarrja e të cilit është rritur në 14.6 për qind për dallim nga 5.1 për qind sa ishte një vit më herët.

Në fakt, Firefox ka arritur Internet Explorerin përkundër faktit se ai ka mbajtur përafërsisht të njëjtën pjesëmarrje si një vit më herët, derisa për rënien e pjesëmarrjes së Internet Explorerit më meritori është shfletuesi Chrome. Po ashtu theksohet se për rënien e pjesëmarrjes së Internet Explorerit, respektivisht rritjen e shfletuesve alternativ, për një pjesë të mirë meritore është edhe marrëveshja në mes të Komisionit Evropian dhe Microsoftit sipas të cilës të gjithë përdoruesve të Windows në Evropë, në kompjuterët e vjetër dhe të rinj, u është dhënë mundësia e përzgjedhjes së shfletuesit të internetit në mes të 12 të ofruarve.

Në nivelin global pjesëmarrja e Internet Explorerit në dhjetor ka rënë në 46.9 për qind, derisa Firefox ka 30.8 për qind, e Chrome 14.9 për qind. /Telegrafi/