Në kuadër të makro-investimeve që Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike KEDS po i shtrinë në tërë Kosovën, projekti i fundit madhor është përfundimi i ndërtimit të largpërçuesit Cermjani.
5 mijë e 800 metra ndërtim të ri të këtij largpërçuesi, e që përfshinë edhe degëzimin në Gërgoc, rajon ky që deri më tash ka shënuar humbje të mëdha teknike, janë pjesë e investimit në fjalë.
“Largprçuesi është ndërtuar sipas të gjitha normave teknike. Janë ngritur 78 shtylla betoni. Janë montuar 83 copë konzola metalike. Janë vënë 500 copë izolatorë VHD dhe zinxhiror si dhe është instaluar përçuesi Al-Qe 50 mm2 me peshë 3 mijë e 500 kilogram”, thonë inxhinjerët e KEDS-it.
Sipas të cilëve investimi në fjalë ka bërë të mundur kyçjen në 14 trafostacione të reja të fshatrave të komunës së Gjakovës, siç janë Gregoc, Bardhaniq, Bare e madhe, Zhabel, Zhabel plak, Shqiponjë dhe Kralan.
Me këtë rast fshatrat dhe rajonet në fjalë, përfitojnë tension stabil dhe furnizim kualitativ me energji. Ndërtimin e largpërçuesit Cërmjani, e ka vlerësuar lartë edhe numri një i Gjakovës Mimoza Kusari-Lila.
Kryetarja e Gjakovës, ka thënë se investimet nga KEDS për përmirësimin e furnizimit me energji elektrike në rajonet e ndryshme të Komunës së Gjakovës, janë mëse të nevojshme për komunitetin dhe për infrastrukturën rajonale në përgjithësi.
“Dua të shprehë mirënjohjen dhe falënderimin e veçantë për investimet e vazhdueshme të KEDS-it në Komunën e Gjakovës. Shembulli i investimit madhor në largpërçuesin Cermjan është vazhdimësi e projekteve të shumta që KEDS po shtrinë në rajonin tonë. Njëkohësisht jam e bindur që bashkëpunimi ynë do vazhdojë edhe më tutje drejt përmirësimit të cilësisë së jetesës për banorët e zonave rurale, zona këto që fatkeqësisht me vite janë përjashtuar nga investimet kapitale në infrastrukturën bazike”, tha Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila.
Kusari Lila theksoi nevojën për shtytje nga ana e institucioneve dhe komunitetit për investimet e KEDS-it në përgjithësi, duke theksuar nevojën edhe për investime tjera në fshatrat ku rrjeti i energjisë elektrike vazhdon të mbetet i dobët.
KEDS ka prezantuar para dy jave Planin Zhvillimor të Rrjetit të Shpërndarjes, sipas të cilit deri në vitin 2020 do të investohen rreth 300 milionë euro në rinovimin e rrjetit elektrik të Kosovës. /Telegrafi/