Poezi nga: Percy Bysshe Shelley
Përktheu: Faslli Haliti
Burimet përzihen me lumin
lumi me Oqeanin
erërat e Qiellit
bashkohen përherë
në lëvizje të ëmbla
asgjë në botë s’është kryesore
dhe gjithçka përmes ligjit hyjnor
në një forcë takohet e përzjehet.
Përse jo unë me ty?
Shiko si malet puthin lartësinë
e qiellit dhe, si valët një nga një
përqafohen. Asnjë lule-motër
s’do të jetonte e drojtur me vëlla-sythin.
Dhe qartësia e diellit përqafon tokën
dhe rrezet e hënës puthin detin.
Përse atëherë e gjithë kjo punë e bukur
nëse ti nuk do që të më puthësh mua?