Gjykata në Iran ka dënuar një djalë të ri dhe të dashurën e tij me nga 10 vjet e gjysmë burg, pasi publikuan në rrjetet sociale një video të tyre duke vallëzuar pranë sheshi Azadi të Teheranit.
Çifti që u arrestua më 1 nëntor të vitit të kaluar në shtëpinë e tyre pas publikimit të videos, janë dënuar gjithashtu edhe me dy vjet ndalim të përdorimit të internetit dhe largimit nga Irani, transmeton Telegrafi.
Astiazh Haghighi dhe Amir-Mohammad Ahmadi, të dy në fillim të 20-ve, akuzohen për “përhapje të korrupsionit”, “tubim dhe bashkëpunime të fshehta me qëllim të minimit të sigurisë kombëtare” dhe përfshirje në propagandë kundër regjimit.
Vendimi u shqiptua nga Gjykata Revolucionare në Teheran e kryesuar nga Abolqasem Salavati, një gjykatës famëkeq i njohur për dhënien e dënimeve të ashpra ndaj individëve që konsiderohen si kërcënim për Republikën Islamike të Iranit.
Aktivistët nga HRANA njoftuan se çiftit i ishte mohuar përfaqësimi ligjor gjatë procedurave gjyqësore, duke cituar një burim të afërt me familjen e Haghighi.
Autoritetet iraniane nuk e komentuan rastin, dhe vendimi erdhi në një kohë kur qeveria po përpiqet të ndalë protestat disamujore kundër regjimit, që filluan pas vdekjes së gruas kurdo-iraniane Mahsa Amini më 16 shtator. /Telegrafi/
Iran: A 21-y-o couple have been sentenced to 10 years in jail each for dancing at the foot of Tehran's Azadi (Freedom) Tower, sources close to them tell @nimnia11. Regime is handing out heavy sentences to anyone defying its strict rules. #آستیاژ_حقیقی #امیرمحمد_احمدی #مهسا_امینی pic.twitter.com/F0ahwzJhA1
— Khosro K Isfahani (@KhosroKalbasi) January 30, 2023