Sezon i ri, makina të reja, por protagonistët të njëjtë. Sërish Mercedes dhe sërish Lewis Hamilton.
Britaniku e ka nisur aty ku e la sezonin e shkuar, duke marrë pole position në Çmimin e Madh të Australisë, premiera e sezonit të ri automobilistik të F1.
Hamilton e ndali kronometrin në kohën 1.22.188 në sesionin e trete, kohë kjo rekord për pistën e Australisë.
Pas tij u rendit ferraristi Vettel, që më parë kish vendosur rekordin në provat e lira, ndërsa Valtteri Bottas në debutimin e tij me Mercedes mori një vend të tretë.
Të tre sesionet e provave zyrtare për Çmimin e Madh të Australisë u zhvilluan në një dialog kohësh në distancë mes Mercedes dhe Ferrarit, por që kanë parë sërish fituese skuadrën e ‘shigjetave të argjendta’.
Në radhën e nisjes vendin e katërt do ta mbajë Kimi Raikkonen. Në sesionin final të kualifikueseve u regjistrua edhe një aksident nga Daniel Ricciardo, që do të duhet të niset në vendi i 10-të.
Hamilton me këtë pole position e çon në 62 numrin e atyre të fituar, duke qenë i treti në absolut në të gjitha kohërat. /TCH/