E plotësuar: Komuna e Gjilanit pas shumë përpjekjeve që nga shtatori i vitit të kaluar ka arritur të miratojë buxhetin për vitin 2025.
Votimi i këtij buxheti u bë sot gjatë një seance të jashtëzakonshme e cila ishte ftuar nga opozita. Pika e projekt-buxhetit për vitin 2025 është miratuar në mënyrë unanime, me 33 vota për dhe asnjë kundër.
E plotësuar: Megjithëse në fillim, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni tha se nuk do të paraqes buxhetin për vitin 2025 në një seancë të jashtëzakonshme, ai e propozoi këtë pikë, pasi siç tha ai, ky është vullneti i asamblistëve.
“Meqë po shprehni kësi lloj vullneti unë po propozoj buxhetin për vitin 2025”, tha kryetari Hyseni.
Në këtë seancë komunale ka folur edhe shefi i asamblistëve të LDK-së, Avdyl Aliu.
“Kur jam prononcuar për media kemi deklaruar se jemi marrë vesh për ta votuar sot buxhetin e propozuar nga kryetari Hyseni. Kam thënë shyqyr se u bë mirë që kanë tejkaluar inatet sepse para këtyre duhet me i vendos arsyet. Nuk ka mundësi me ec e mos me të ndal qytetarët mos me të pyet për buxhetin aq u bë temë e madhe, që nuk ka kuptim kjo. Shpresoj të tejkalohet inatet. E kemi lexu ligjin, por dikush nuk e ka lexuar.. “, Aliu.
Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit komunal të Gjilanit, e thirrur nga opozita, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa të pranishëm janë edhe asamblistët e Vetëvendosjes.
LDK dhe PDK në Gjilan kanë deklaruar publikisht se buxheti komunal për vitin 2025 do të miratohet.
Alban Hyseni, kryetar i Gjilanit ka thënë kjo seancë nuk është organizuar nga ai.
Ai tutje ka kërkuar që të diskutojnë dhe çdo kërkesë të përfshihet në buxhet, gjersa ka kërkuar që seanca e jashtëzakonshme të mbyllet.
Hyseni tutje tha se nuk e propozon buxhetin në një seancë të jashtëzakonshme.
Ndërkaq, nga Lidhja Demokratike kanë kërkuar që të vazhdojë seancë dhe në këtë linjë ishte edhe asamblisti i LVV-së, Ismajl Kurteshi.
Ndryshe, deri tani disa herë ka dështuar votimi i projekt-buxhetit komunal për vitin 2025.