Fushata ndërgjegjësuese ndaj kancerit të gjirit “Kancerin e gjirit e mposhtim së bashku”, e mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë, tashmë ka filluar edhe në Komunën e Leposaviqit.
Për dy ditë radhazi në sheshin e qytetit të Leposaviqit do të kryhen kontrolla dhe mamografi tek qytetaret, shkruan Telegrafi.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Komuna, në këtë fushatë ndërgjegjësuese përfshihen edhe këshillime mjekësore nga profesionistë shëndetësorë.
“Aktivitetet për ndërgjegjësimin e hershëm të kësaj sëmundjeje përfshinë gjithashtu shpërndarjen e materialeve informuese dhe këshillimeve mjekësore nga profesionistët shëndetësorë”, thuhet në njoftim.
Kjo fushatë ndërgjegjësuese ishte edhe në Mitrovicën Veriore dhe në Zveçan. Pas përfundimit në Leposaviq, do të vazhdoj edhe në Komunën e Zubin Potokut.
Fushata ndërgjegjësuese në fjalë synon ndërgjegjësimin e grave që të njëjtat t’i kryejnë kontrollet mjekësore me kohë dhe të njoftohen nëse e kanë këtë sëmundje apo jo. /Telegrafi/