Sot ka filluar asfaltimi i rrugës “Adem Jashari” në Gjilan, derisa PDK-dega në Gjilan ka reaguar duke thënë se komuna po vazhdon me devijimin e plotë të rrugës, duke i kërkuar hetuesisë hetim urgjent ndaj këtij projekti.
PDK kërkon publikisht hetuesisë që të merret urgjent me këtë projekt, i cili, sipas tyre, ka devijuar 100%.
“I kërkojmë publikisht hetuesisë që të merret urgjentisht me këtë masakër të këtij projekti, i cili ka devijuar 100% prej asaj që është projektuar, tenderuar, kontraktuar dhe prej kësaj që po ndodhë në teren”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Në të kundërtën, heshtja e hetuesisë ndaj këtij rasti, sipas PDK-së, nënkupton bashkëpjesmarrjen e tyre.
Përndryshe heshtja e këtij rasti nga hetuesia, nënkupton bashkëpjesëmarrjen e tyre në këtë katrahurë dhe në këto keqpërdorime që po ndodhin nga drejtori i shërbimeve publike dhe kryetarit të Gjilanit.
Nga PDK theksojnë se komuna përmes devijimit të rrugës po vazhdon eleminimin e të gjitha investimeve të projektuara dhe të kontraktuara me operatorin ekonomik për ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore.
Gjithashtu, në komunikatën e lëshuar për media, PDK në Gjilan thekson se po në këtë rrugë është bërë ngushtim i trotuarëve.
“Pastaj është bërë ngushtimin e trotuareve për të krijuar hapësirë të parkingjeve për autoshkollën “Kushtrimi” pronë e drejtorit të shërbimeve publike Kushtrim Ibrahimi”, thuhet në komunikatën e tyre. /Telegrafi/