Telegrafi

FIFA propozon që të mos zhvillohen ndeshjet në mars dhe prill, mes tyre edhe ajo Maqedoni e Veriut – Kosovë

FIFA ka lëshuar një komunikatë, ku propozohet që të gjitha ndeshjet internacionale të planifikuara për mars dhe prill, të shtyhen për kohë të pacaktuar, në mesin e tyre është edhe ajo ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Coronavirusi tashmë ka përfshirë shumicën e vendeve të botës dhe shumica e ndeshjeve të futbollit janë anuluar, përfshirë edhe kampionatet më të mëdha evropiane.

Edhe FIFA, gjatë mbrëmjes së sotme ka dal me një komunikatë zyrtare për media, ku ndër tjera është vendosur që të anulohen të gjitha garat e futbollit, kështu duke lutur klubet që të mos i lëshojnë lojtarët për ndeshjet ndërkombëtare, ato të mars dhe prill.

 

“Për të shmangur rreziqet e panevojshme shëndetësore dhe gjithashtu situatat e padrejtësisë së mundshme sportive, ju rekomandojmë që të gjitha ndeshjet ndërkombëtare të planifikuara më parë të zhvillohen në Mars dhe Prill, tani duhet të shtyhen deri në atë kohë që ato të mund të zhvillohen në një mjedis të sigurt, për lojtarët dhe për publikun e gjerë”, shkruhet mes tjerash në njoftimin e FIFA-s.

Mbetet të shihet nëse ky propozim do të fuqizohet dhe të zyrtarizohet nga UEFA, që ka një mbledhje të martën, kur do të merret me shumë gjasa edhe vendimi për EURO 2020. /Telegrafi/