Site icon Telegrafi

FIFA e lejon Krkicin të paraqitet për Serbinë?

Futbollisti ofensiv, Bojan Krkic, thuhet se ka vendosur të luajë për Serbinë, edhe pse në të kaluarën e ka përfaqësuar Spanjën.

E përditshmja serbe Kurir ka bërë të ditur se anësori i Stoke Cityt ka vendosur të luajë për vendin e tij të origjinës.

“Ashtu është, Bojan ka pranuar të luajë për ekipin tonë përfaqësues. Nga Federata e Futbollit të Serbisë është bërë gati dokumentacioni për dorëzim në FIFA dhe presim një përgjigje së shpejti”, i ka thënë gazetës një burim i afërt me federatën serbe.

Krkic është i lindur në Kataluni. Babai i tij, i cili ka qenë po ashtu futbollist, është serb, ndërsa nënën e ka spanjolle. Ai ka qenë pjesë e Akademisë së Barcelonës dhe pastaj e ka përfaqësuar këtë klub edhe në nivelin profesionist, para se të largohej (në vitin 2011 drejt Romës, ndërsa ka luajtur edhe për Milanin dhe Ajaxin).

Vlen të theksohet se Bojan e ka përfaqësuar Spanjën në grupmoshat U17 dhe U21, ndërsa ka luajtur në një ndeshje miqësore edhe me ekipin senior të La Rojas. Sidoqoftë, meqë ajo ndeshje nuk është regjistruar si zyrtare, atij mund t’i lejohet të ndërrojë përfaqësuese.

Lexo po ashtu Zyrtare: FIFA ka vendosur, të gjithë ata që kanë luajtur pas 13 majit, s’mund të luajnë për Kosovën

Kujtojmë që FIFA vendosi t’i lë jashtë përfaqësueses së Kosovës, futbollistët të cilët kanë luajtur për një përfaqësuese tjetër pas 13 majit (data kur FFK u pranua në këtë organizatë). Në këtë listë bëjnë pjesë disa emra të njohur të futbollit, si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami e Shani Tarashaj. /Telegrafi/

Exit mobile version