Site icon Telegrafi

FFK do të ankohet në UEFA për veprimin e futbollistëve të Serbisë që u shfaqën me fanella “me mbishkrim irredentist nacionalist”

(Foto: ffk-kosova.com)

Federata e Futbollit e Kosovës do të ankohet në UEFA për veprimin e futbollistëve të Serbisë, të cilët pas ndeshjes ndaj Portugalisë janë shfaqur me fanella me mbishkrim irredentist nacionalist.

FFK konsideron se propagandimi i një kënge nacionaliste nga futbollistët e Serbisë, në tekstin e të cilës përmenden dy qytete të vendeve fqinje të saj, Prizreni i Republikës së Kosovës dhe Rumja i Malit të Zi është i papranueshëm.

“Ky gjest nxitës dhe nacionalist nuk përkon me vlerat evropiane, por thjesht është pjesë e ëndrrave dhe mendimeve shoviniste dhe irredentiste serbe”.

“Futbolli është sporti më i popullarizuar në botë dhe kudo vlerësohet për krijim të urave të miqësisë ndërmjet popujve dhe si të tillë duhet ta ruajmë, e jo të shërbejë si mjet propagandues për shovinizëm të tërbuar”.

Lexo po ashtu “Flamuri serb le të valojë nga Prizreni deri në Rumijë”, tre lojtarë serbë provokojnë pas ndeshjes ndaj Portugalisë - nuk ka reagim nga FIFA

“FFK në vazhdimësi është kujdesur për propogandim të vlerave sportive dhe miqësore, prandaj do të kërkojë me ngulm nga UEFA që të dënojë veprimet e tilla, që vijnë nga një ekip kombëtar, i cili futbollin e shfrytëzon për propagandë të mendimeve të prapambetura”, thuhet në komunikatën e FFK-së.

Exit mobile version