Federata e Futbollit të Kosovës [FFK] ka dalë me komunikatë zyrtare për të sqaruar situatën në lidhje me stadiumin e Prishtinës.
Prishtina dhe Drita do të luajnë mes vete në ndeshjen e fundit të sezonit 2017/18, ndeshja e cila do të vendos kamponin e këtij sezoni.
Komuna dhe klubi i Prishtinës kanë bërë kërkesë zyrtare tek FFK-ja për të zhvilluar këtë ndeshje në kryeqytet dhe tanimë federata ka dalë me komunikatë zyrtare rreth kësaj çështje.
Komunikata e plotë e FFK-së:
“FFK-ja me kujdes ka përcjellë lajmet për ndeshjen e shumë përfolur dhe kërkesën e FC “Prishtina” që ndeshja e fundit këtij kampionati ndërmjet dy pretendentëve për titull Prishtinës dhe Dritës të zhvillohet në stadiumin e Prishtinës, ndaj jep këtë sqarim për opinion”.
“FFK-ja gjithmonë ka dashur dhe ka qenë e interesuar që ndeshjet të zhvillohen në stadiume të mira dhe sidomos në Prishtinë. Por siç dihet tashmë stadiumi i qytetit në Prishtinë është në rinovim e sipër”.
“Madje FFK-ja ka qenë e interesuar që të paktën dy ndeshje të Kombëtares A të zhvillohen në kryeqytet, por duke ndjekur shqetësimet edhe të UEFA-s, që stadiumi nuk është i gatshëm për zhvillimin e ndeshjeve ka hequr dorë nga një gjë e tillë”.
“Po ashtu FFK-ja me kujdes ka ndjekur edhe punimet në stadiumin e qytetit dhe sipas informatave nga Investitorët MKRS dhe komuna e Prishtinës si dhe punëkryesit, stadiumi mund të jetë i gatshëm diku nga fundi i qershorit i këtij viti dhe paraprakisht duhet të bëhet pranimi teknik tij dhe më pastaj Komisioni i FFK-së për inspektimin e objekteve sportive i FFK-së do të inspektojë dhe vlerësojë se ai përmbushë kushtet dhe kriteret për zhvillimin e ndeshjeve qoftë kampionale qoftë ndërkombëtare”.
“Së këndejmi me gjithë dëshirën dhe vullnetin që kjo ndeshje të zhvillohet në një stadium të mirë përkatësisht në stadiumin e qytetit në Prishtinë, ku nuk ka pranim teknik të objektit, FFK-ja edhe njëherë sqaron opinionin se këtu nuk është punë marrëveshjeje apo mirëkuptimi, por gjendja është e tillë”, shkruan në njoftimin e FFK-së. /Telegrafi/