Site icon Telegrafi

FFK i shkruan UEFA-s: Të ndalet Federata Serbe e Futbollit dhe Crvena Zvezda që të vijë në Kosovë për të bërë gara

Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar ashpër pas lajmërimeve se klubi serb Crvena Zvezda do të ballafaqohet në Zveçan me klubin ilegal “FK Trepça” nga Mitrovica e Veriut në kuadër të Kupës së Serbisë.

FFK u ka bërë thirrje organeve kompetente të UEFA-s dhe FIFA-s për të reaguar urgjentisht dhe të mos lejojnë të shkelen statutet e tyre dhe njëherësh të parandalojnë ndonjë skenar të destabilizimit të gjendjes në veri të vendit tonë.

‘Shtëpia’ më e madhe e futbollit në vend gjithashtu kërkon që të ndërpriten njëherë e përgjithmonë aktivitetet ilegale të klubeve serbe në territorin e Republikës së Kosovës.

“Federata e Futbollit e Kosovës reagon ashpër ndaj tendencës së Federatës së Futbollit të Serbisë që të organizojë ndeshje të karakterit garues në kuadër të Kupës së Serbisë në Zveçan, ndërmjet klubit ilegal ‘Trepça’ nga Mitrovica e Veriut dhe klubit Crvena Zvezda nga Beogradi”.

“Me këtë rast ftojmë FIFA-n dhe UEFA-n që të reagojnë urgjentisht dhe të mos lejojnë të shkelen statutet e tyre dhe njëherësh të parandalojnë ndonjë skenar të destabilizimit të gjendjes në veri të vendit tonë”.

“Po ashtu kërkojmë nga institucionet e shtetit dhe organet e rendit e të sigurisë që ta trajtojnë me urgjencë këtë çështje dhe të marrin masat e duhura, në mënyrë që të mbrohet integriteti i FFK-së”.

“FFK-ja, si organi i vetëm legal për të organizuar gara të futbollit në Kosovë, nuk ka dhënë leje për zhvillimin e një ndeshje të tillë dhe këtë e vlerëson si provokim të rëndë nga Federata e Futbollit e Serbisë”.

“Ne jemi të hapur për t’i përfshirë nën ombrellën tonë të gjitha klubet që veprojnë në Kosovë e që janë të regjistruara në institucionet e vendit, pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Prandaj, i ftojmë klubet serbe që ta pranojnë sa më parë realitetin dhe aktivitetin e tyre ta zhvillojnë në kuadër të garave të rregullta të organizuara nga FFK. Çdo gjë tjetër është mashtrim dhe nuk i dërgon ato në rrugën e zhvillimit dhe perspektivës!”, thuhet në kumtesën e FFK-së”, thuhet në njoftimin e klubit. /

Exit mobile version