Telegrafi

FFK reagon për takimet ilegale të futbollit serb në Kosovë

Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj ndeshjeve ilegale në futboll dhe improvizimin e garave në territorin e Republikës së Kosovës nga struktura ilegale në veri të vendit.

FFK ka bërë me dije se ky është një mashtrim dhe njëherësh nxitje e problemeve për popullatën në veri të vendit, ngase improvizime të tilla më nuk do të lejohen.

Ditë më parë në mediat serbe bëri bujë lajmi për inkuadrimin e të ashtuquajturit ‘FK Trepca’ nga Mitrovica e Veriut në një rang më të lartë të garave nën ombrellën e Federatës së Futbollit të Serbisë.

FFK bën me dije se në institucionet shtetërore dhe sportive të Republikës së Kosovës janë të regjistruara KF “Trepça’89”, që bën gara në Superligën e Kosovës dhe KF “Trepça” që bën gara në Ligën e Parë të Kosovës dhe ato janë klubet e vetme legjitime me këtë emër.

Prandaj, FFK e konsideron ilegal çdo aktivitet të klubeve të paregjistruara në institucionet e shtetit dhe organet e saj dhe kërkon ndërprerjen e menjëhershme të këtyre aktiviteteve, të cilat në masë të madhe e dëmtojnë imazhin e FFK-së por edhe të vet shtetit.

“FFK do ta shqyrtojë këtë çështje me organet e UEFA-s dhe do të kërkojë sqarim edhe nga Federata e Futbollit e Serbisë, sepse ajo e di fare mirë se nuk i lejohet të organizojë gara në territorin e një vendi tjetër anëtar të UEFA-s”.

“FFK kërkon nga të gjitha institucionet, presidenti, kryeministri, ministria e sportit dhe grupi negociator për dialog me Serbinë që të reagojnë për këtë çështje në organet ndërkombëtare, pasi veprimet e tilla janë mashtruese dhe qëllimkëqija për popullatën e asaj pjese të qytetit të Mitrovicës me rrethinë”.

“Në rast se edhe në të ardhmen do të ketë aktivitete të tilla pa lejen e FFK-së, atëherë është e domosdoshme ndërhyrja e Policisë së Kosovës për ndalimin e tyre”.

“Edhe një herë rikujtojmë se Federata e Futbollit e Kosovës është organizata e vetme kompetente që organizon, udhëheqë dhe rregullon garat në futboll në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe është themeluar në principet e frymës sportive dhe ‘fair-play’-t dhe njëherësh si e tillë edhe është anëtarësuar në UEFA e FIFA në maj të vitit 2016”.

“FFK është e hapur për anëtare të reja dhe fton klubet e të gjitha komuniteteve që funksionojnë në tërë territorin e Republikës së Kosovës që të regjistrohen në institucionet shtetërore të Kosovës dhe të përfshihen në garat që organizohen nga FFK. Njëherësh, FFK, në mbështetje të institucioneve të sigurisë u garanton të gjitha klubeve pjesëmarrëse siguri dhe ‘fair-play’ në gara”, shkruan në njoftimin e FFK-së. /Telegrafi/