Nën përkujdesjen e presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri sot në selinë e kësaj Federata, u mbajt tubimi përkujtimor në 30 vjetorin e vdekjes së dy futbollistëve të brezit të artë të KF “Prishtina”, Favzi Rama e Faton Domi, të cilët patën humbur jetën në një aksident komunikacioni.
Për këtë ishin ftuar përfaqësues të familjes Rama e Domi si dhe gjithë ish-futbollistët e brezit të artë. Në fillim duhet cituar njërin nga pjesëmarrësit, ish-trajnerin e KF “Prishtina”, Ajet Shosholli, i cili duke parë emocionet dhe ç’malljen e pjesëmarrësve tha se vetëm legjendat si Fadil Vokrri dinë t’i tubojnë të mëdhenjtë në një vend.
Vërtet njerëzit që dikur kishin ndarë të mirën e të keqen e që nuk ishin parë me vite nuk ka si të mos jenë emocional gjatë evokimit të përjetimeve të asaj kohe duke ndërlidhë të kaluarën me të tashmen. Duke mbajtur një minutë heshtje nderimi për dy futbollistët e ndjerë, presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri tha se ky është një moment sa i prekshëm, aq i veçantë dhe emocional.
“Unë falënderoj familjen e Favzi Ramës e Faton Domit si dhe gjithë ashkëlojëtarët e Favziut dhe Fatonit e të mitë që kanë gjetur kohë që së bashku t’i kujtojmë bashkërisht dy shtyllat e klubit Prishtina. Yjet nuk shuhen kurrë dhe ne çdo herë do t’i kujtojmë me krenari dhe mall sepse ata i bën vetes një vend në historinë e futbollit të Kosovës”, ka theksuar Vokrri.
Në emër të familjeve u falënderua Faruk Domi, ndërkaq në emër të ish drejtuesve të KF “Prishtina” falënderime shprehu Bajram Tmava. Në fund presidenti Vokrri ua dorëzoi nga një mirënjohje pas vdekjes familjes Rama e Domi, sikur që presidenti Vokrri shtroi një drekë për të gjithë pjesëmarrësit e këtij tubimi.