Sonte në emisionin “Përballje” të transmetuar në RTV Dukagjini e Telegrafi.com është diskutuar për skandalin në futbollin e Kosovës dhe se a ka ndeshje të kurdisura në elitën e futbollit vendas.
Eroll Salihu nga Federata e Futbollit të Kosovës duke komentuar publikimin e materialeve në media për dyshimet e kurdisjeve të ndeshjeve në futbollin e Kosovës ka thënë se pamjet e tilla janë shqetësuese dhe se organet e hetuesisë po merren me rastin.
“Federata e Futbollit i ka suspenduar të gjithë akterët në anën tjetër e ka dërguar rastin në prokurori për ndeshjen Besa-Trepça edhe tash duhet me i marrë të gjitha deklaratat e të gjithë akterëve sepse nuk mundet me u dënua askush pa pas deklaratë”, ka deklaruar Salihu.
Sipas tij do të presin nga prokuroria edhe do të marrin vendime adekuate.
” Sanskione sportive sigurisht që do t’u shqiptohen nga komisioni disiplinor ” ka deklaruar Salihu.
Ndërsa Bujar Mehmeti, gazetar i sportit në KTV ka deklaruar se skandale të tilla nuk ka pasur deri më tash.
” Nuk besoj që ka pasur deri më tash skandal më të madh se në momentin kur del një gjyqtarë i cili është i xhiruar i cili është i Superligës, po flasim për ligën elite, një ligë që këtë sezon do të dërgojë skuadra në e kampionëve, në ligën evropiane pra në gara ndërkombëtare më një takim më një zyrtar, më një trajner”, ka deklaruar Mehmeti.
Emisioni “Përballje” është bashkëprodhim i gazetarit Muhamet Hajrullahu me Telegrafi.com për Radiotelevizionin Dukagjini dhe transmetohet çdo të hënë në ora 20:20, kurse repriza të shtunën në ora 10:00. /Telegrafi/