Site icon Telegrafi

FFK organizoi për herë të parë Kampin e Talenteve në SHBA

Federata e Futbollit e Kosovës shënoi një hap të rëndësishëm këtë mesjavë, duke organizuar për herë të parë Kampin e Talenteve në SHBA.

Aktiviteti u zhvillua në New York më 28 dhe 29 nëntor, me pjesëmarrjen e 75 futbollistëve të grupmoshave U15, U17 dhe U19. Përzgjedhësit e kombëtareve të këtyre grupmoshave, Ilir Nallbani, Arbnor Morina dhe Adil Maliqi, udhëhoqën stërvitjet dhe vlerësuan potencialin e lojtarëve pjesëmarrës.

Komuniteti shqiptar në SHBA ka reaguar me mirëseardhje të ngrohtë ndaj këtij organizimi, duke e përgëzuar FFK-në për përkushtimin ndaj zhvillimit të talenteve të futbollit në diasporë.

Ky kamp ofroi një platformë unike për lojtarët e rinj shqiptarë në Amerikë, duke iu mundësuar atyre që të prezantojnë aftësitë e tyre të futbollit para përzgjedhësve të ekipeve kombëtare.

Në këtë kamp, përzgjedhësit vlerësuan potencialin e pjesëmarrësve, duke shprehur bindjen se disa prej tyre do të kenë rritje të ndjeshme në të ardhmen. Ata do të vazhdojnë të përcjellin zhvillimin e tyre në klube dhe varësisht prej performancave të tyre do të vendosin rreth grumbullimit të tyre në ekipet kombëtare.

FFK planifikon ta bëjë këtë kamp një traditë vjetore, duke vazhduar të përkrahë zhvillimin e talenteve dhe duke krijuar mundësi të barabarta për lojtarët shqiptarë në SHBA që të integrohen në ekipet e Kombëtares së Kosovës në të ardhmen. /Telegrafi/ 

Exit mobile version