Telegrafi

FFK i kërkon FIFA-s e UEFA-s t’i ndalojë garat ilegale të Serbisë në Kosovë

Federata e Futbollit të Serbisë ka muaj që po organizon disa ndeshje futbollistike në territorin e Kosovës.

Kjo ka bërë që Federata e Futbollit e Kosovës t’i shkruaj një letër FIFA-s dhe UEFA-s, për të shprehur kundërshtimin e tyre me rastin e zhvillimit të garave ilegale të Serbisë në Kosovë.

E gjithë kjo pasi që i ashtuquajturi klubi mitrovicas i Trepçës, po bën gara në kategorinë e tretë të futbollit të Serbisë.

Në letrën e presidentit të FFK-së, Agim Ademi, thuhet se kërkojnë ndërhyrjen e këtyre dy institucioneve për ndalimin e çdo lloj gare të futbollit të Serbisë në territorin e shtetit të Kosovës.

Gjithashtu ajo duhet të detyrojë Federatën serbe që ta ndryshojë statutin e saj, ku Kosovën e paraqet si pjesë të federatës së tyre, e që është në kundërshtim me realitetin dhe statutet e FIFA-s e UEFA-s. /Telegrafi/