Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur me datë 07.04.2017 diskutoi për çështjet aktuale në futbollin e Kosovës.
Theks të veçantë për zhvillimet e ditëve të fundit, siç janë: Dyshimi për kurdisje të rezultatit në disa ndeshje të xhirove të fundit të Superligës, publikimi i një video materiali si dhe deklarimet e disa individëve për çështjen e trukimit të ndeshjeve në periudhat e mëparshme.
Komiteti Ekzekutiv e konsideron shumë pozitive kontributin e disa mediave për të demaskuar individët apo grupet e individëve që për interesat e tyre hyjnë në veprime kriminale, siç shihet në video-publikimin e portalit Indeksonline, thuhet në njoftimin e FFK-s.
Federata e Futbollit e Kosovës nuk do të tolerojë akte të tilla të cilat e dëmtojnë rëndë jo vetëm imazhin e futbollit, por edhe atë shtetëror dhe për këtë do të denoncojë çdo ndeshje për të cilën ka dyshime të bazuara për kurdisje të rezultatit.
Federata e Futbollit e Kosovës tashmë e ka caktuar personin përgjegjës për integritetin e garave dhe ai është në kontakt të vazhdueshëm me UEFA-n (që po ashtu mund të procedojë hetime). Ndërsa, Komiteti Ekzekutiv nga java në javë do të caktojë një anëtar që do të jetë përgjegjës për të përcjellur ngjarjet dhe për të parandaluar veprimet e tilla.