Një gol shënuar në minutën e 70-të nga sulmuesi serbo-hungarez Nemanja Nikoliç i ka dhënë një fitore të artë 1-0 Legias së Varshavës sot në Sllovaki, kundër Trençinit.
Skuadra e drejtuar nga Besnik Hasi e ka nisur keq sezonin, duke humbur Superkupën dhe duke barazuar dy ndeshjet e para në kampionat, por gjithçka në këtë moment luhet për kualifikimin në grupet e Ligës së Kampioneve dhe klubi nuk i kushton fare rëndësi ndeshjeve të tjera.
Për këtë arsye, fitorja e sotme është “ar”, pasi kthimi në Varshavë është më i thjeshtë dhe faza play-off është shumë pranë.
Ndërkaq, Astra Xhurxhu e Kristi Vangjelit barazoi 1-1 në shtëpi ndaj FC Kopenhagenit, një rezultat aspak pozitiv, para kthimit në Danimarkë, ku do të nevojitet fitore ose barazim me shumë gola.
Rumunët shënuan që në minutën e shtatë, por ndeshja ishte shumë e ekuilibruar dhe danezët barazuan në minutën e 65-të.
Vangjeli ishte titullar dhe në minutën e 78-të u ndëshkua edhe me karton të verdhë.
Ndërkaq, sulmuesi i Kosovës Elbasan Rashani qëndroi në stol sot, në fitoren 2-1 që Rozenborgu arriti ndaj APOEL Nikozisë.