Telegrafi

I festoi Mbappes në fytyrë, Romero tregon arsyen

Cristian Romero shpjegon arsyen pse i festoi në fytyrë Kylian Mbappe pas golit të tretë që u shënua nga Lionel Messi në finalen Argjentinë – Francë.

Lojtari që aktivizohet në radhët e Tottenham në Ligën Premier shprehet se sulmuesi francez ishte sjellë keq me shokun e tij të skuadrës, Enzo Fernandez dhe në këtë formë ai mori “hak”.

“I bërtita dhe i festova në fytyrë Mbappes sepse Enzo Fernandez foli më parë me atë dhe ai e trajtoi në një mënyrë të shëmtuar. Atëherë unë mora “hak” duke festuar në atë formë golin që shënoi Messi”, ka thënë Romero.

Ndër të tjera, 24-vjeçari tregoi edhe emocionet gjatë goditjeve të penalltive, ndërsa theksoi se ishte i vetmi që kishte guximin për të parë gjuajtjen e Messit.

“Unë e pashë penalltinë që goditi Leo, isha i vetmi që mora guximin të shikoja. Por, e pranoj se pas këtij momenti nuk pashë asnjë penallti tjetër sepse isha gjithë kohën në gjunjë duke u lutur”, tha Romero.

Lexo po ashtu ‘Nëse më duhet të zgjedh njërin’ – Scaloni tregon cilin preferon më shumë, Messin apo Maradonan

Në fund, Romero pati edhe një mesazh për Federatën e Argjentinës ku u shpreh se duhet të vijojnë projektin me trajnerin Lionel Scaloni./Telegrafi/