Site icon Telegrafi

Festivali “Suhareka na Bashkon” vë në qendër artistët me aftësi të kufizuara për të promovuar barazinë  

Edicioni i dytë i festivalit “Suhareka na bashkon” që i dedikohet pjesëmarrësve me aftësi të kufizuara është mbajtur gjatë fundjavës në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyçi” në Suharekë.

Me këtë rast është theksuar se ky festival ka për qëllim të promovojë dhe mbështesë integrimin e personave me aftësi të kufizuara në komunitet dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për të drejtat e tyre, raporton Telegrafi.

Drejtoresha e festivalit, Shqipe Kryeziu nga OJQ “Sytë kërkojnë dritë”, ka bërë të ditur se në këtë edicion pjesëmarrësit nga trevat shqiptare kanë shtuar hijeshinë e këtij organizimi unik kulturor.

“Një festival i këtij lloji nuk ndryshon nga festivalet tjera, ka karakter garues, gjithçka është e njëjtë, por vetëm konkurrentët, artistët janë me aftësi të kufizuar. Kjo është ajo që e dallon nga festivalet tjera”, ka thënë ajo.

Kryetari i Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, Bujar Kadriu ka vlerësuar se artistët nga komuniteti i PAK janë zëri avokues për këtë kategori të shoqërisë.

“Aftësia e kufizuar është vetëm një sfidë, por nuk do të thotë që është sfidë e patejkalueshme, nëse institucionet, shoqëria, kuptojnë drejtë rolin e tyre, dhe në këtë rast të kenë kuptuar se artistët që performojnë në këtë festival thyejnë tabutë dhe janë zë i fuqishëm avokues për të drejtat e PAK”, ka thënë Kadriu.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka vënë në pah rëndësinë e qasjes në kulturë për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë.

“Një organizim i veçantë për arsye se lidhet me mandatin, pozitën dhe rolin që e kam si Avokat i Popullit, duke pas parasysh që qasja në kulturë është një e drejtë e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet që ushtrojnë autoritet publik duhet ta kenë këtë fakt parasysh”, është shprehur ai.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj  ka shprehur bindjen se pas edicionit të dytë ky organizim do të jetë tradicional në këtë komunë, raporton Telegrafi.

“Ne jemi ata, ata janë ne, nuk kemi kurrfarë dallimi. Por e kanë një arsye më shumë se ne, meqë kanë talent më shumë se ne dhe në shumë fusha e lëmi janë më të mirë se ne”, ka thënë Muharremi.

Në këtë organizim kanë qenë të pranishëm përfaqësues nga sektorë të ndryshëm, të cilët kanë vlerësuar se ky organizim paraqet një platformë të mirë për të promovuar përfshirjen dhe ndërgjegjësimin për ndërtimin e një shoqërie të barabartë. /Telegrafi/

Exit mobile version