Edicioni i 21-të i Festivalit Ndërkombëtar të Stripit dhe Karikaturës në Prizren, që mbahet nga data 11 deri më 18 tetor, sjellë numër të madh punimesh të realizuara nga artistë prej vendeve të ndryshme të botës.
Sipas organizatorëve të këtij festivali, gjatë këtij viti kanë ardhur 3 mijë e 752 punime nga 693 artistë nga 72 shtete të ndryshme, raporton Telegrafi.
“Tashmë mbi dy dekada me sukses mbledhim artistë botërorë që sjellin punimet e tyre në festivalin ndërkombëtar të Stripit dhe Karikaturës. Sivjet, numri i artistëve që kanë dërguar punime është tepër i madh respektivisht afër 700 artistë, që na bën lider në këtë rang të pjesëmarrjes”, ka thënë drejtori i festivalit, Gani Sunduri.
Sipas tij prej numrit të përgjithshëm të punimeve, 300 sosh janë përzgjedhur për garën e ngushtë, teksa në këtë edicion hapësirë i është dhënë edhe artistëve të rinj nën moshën 18 vjeçare, për ta shpalosur talentin e tyre.
Në të njëjtën kohë ka sqaruar se tema e këtij viti, “Stripi dhe Karikatura si Zhvillim Kulturor”, vë theksin te roli i stripit dhe karikaturës si forma artistike që jo vetëm argëtojnë, por edhe edukojnë dhe kontribuojnë në ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës.
“Gjatë ditëve të festivalit, publiku do të ketë mundësinë të përcjellë një sërë aktivitetesh, përfshirë ekspozitat, diskutimet, punëtoritë, etj”, është shprehur Sunduri.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve më 11 tetor 2024 nga ora 18:00, në Institutin Yunus Emre në Prizren do të shfaqet filmi “Damn White Man”, me pjesëmarrjen e 14 artistëve nga Turqia, derisa hapja zyrtare e festivalit është më 12 tetor 2024, në ora 19:00, në galerinë “Shani Efendi”, raporton Telegrafi.
Sunduri ka pranuar zbehjen e interesimit për këtë lloj të artit, dhe se me ngulm po tentohet popullarizimi i tij.
“Festivali Ndërkombëtar i Stripit dhe Karikaturës po vazhdon me ngulm mbi dy dekada, dhe shumë pak festivale në botë kanë mbetur të këtij lloji. Ka disa festivale të Karikaturës, por Stripi në Kosovë dhe vendet përreth ka humbur popullaritetin e dikurshëm. Pra jemi duke u munduar që ta popullarizojmë”, ka shtuar ai.
Sipas tij në këtë vazhdë është krijuar edhe programi për artistët e rinj, ndërkohë që ka edhe aktivitete për fëmijë.
“Ka dy vite që po mbajmë edhe kurse për fëmijë, për ti njohur më për së afërmi me artin e nëntë dhe po mundohemi që ta vazhdojmë traditën dhe t’ia përcjellim gjeneratave të reja”, ka deklaruar Sunduri.
Strip artisti prizrenas shpreson që ky edicion të mundësojë përvoja të reja dhe të shërbej si platformë për shqyrtimin e rëndësisë së stripit dhe karikaturës në zhvillimin kulturor. /Telegrafi/