Festivali Ndërkombëtar i Stripit dhe Karikaturës në Prizren, është hapur gjatë fundjavës në Galerinë e “Shani Efendisë”, duke prezantuar punime e artistë nga vende të ndryshme të botës.
Drejtori i këtij festivali, Gani Sunduri ka pohuar se duke sjellë në Prizren punimet e artistëve nga e gjithë bota, ky edicion do të mundësojë përvoja të reja dhe do të ofrojë një pasqyrë mbi rëndësinë e stripit dhe karikaturës në zhvillimin kulturor, raporton Telegrafi.
“Tema e këtij viti, “Stripi dhe Karikatura si Zhvillim Kulturor”, vë theksin te roli i stripit dhe karikaturës si forma artistike që jo vetëm argëtojnë, por edhe edukojnë dhe kontribuojnë në ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës. Përmes humorit dhe ironisë, këto forma arti ofrojnë një reflektim të gjendjes shoqërore, politike dhe kulturore në botë, duke ndihmuar publikun të lidhet me çështje të ndërlikuara në një mënyrë të lehtë për t’u kuptuar”, ka bërë të ditur Sunduri.
Ndërkaq kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka theksuar se me kënaqësi ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të 21-të të Festivalit Ndërkombëtar të Stripit dhe Karikaturës në Prizren, që sivjet prezanton një numër të madh punimesh.
“Ky festival veçse e zbukuron mozaikun e festivaleve në Prizren dhe Komuna vazhdimisht do t’i mbështesë aktivitetet e këtilla kulturore”, është shprehur Totaj, duke shtuar se nga organizatorët është njoftuar se numri i punimeve në garën e ngushtë është 300 sosh, derisa e veçanta e këtij viti është hapësira për artistët e rinj nën moshën 18 vjeçare, për ta shfaqur talentin e tyre.
Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sylejman Elshani ka vlerësuar si mbresëlënës faktin se për këtë edicion 3,752 punime nga 693 artistë nga 72 shtete janë dërguar në adresë të festivalit, duke dëshmuar sërish rëndësinë e kësaj ngjarjeje kulturore, që mbështetet nga MKRS-ja, raporton Telegrafi.
Si pjesë e aktiviteteve të festivalit, paraprakisht në Institutin Yunus Emre në Prizren është shfaqur filmi “Damn White Man”, me pjesëmarrjen e 14 artistëve nga Turqia.
Gjatë festivalit, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë një sërë aktivitetesh, përfshirë ekspozitat, diskutimet, punëtoritë si dhe aktivitete për të gjitha grupmoshat. /Telegrafi/