Site icon Telegrafi

Festivali Ndërkombëtar “Zgjimi me Art” sivjet sfidon kufijtë tradicionalë të artit dhe eksploron lidhjet midis kulturës dhe shoqërisë

Festivali Ndërkombëtar “Zgjimi me Art”, 2023

Festivali Ndërkombëtar “Zgjimi me Art” ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin edicionit të 22-të respektivisht për ofrimin e një feste artistike. Aktivitetet në kuadër të këtij edicioni do të zhvillohen nga data 17 deri më 22 shtator 2024 në Kino Lumbardhi.

Sipas njoftimit të festivalit, “Zgjimi me Art” sivjet, mbledh artistë të njohur dhe talente të reja nga vende të ndryshme për të festuar fuqinë dhe diversitetin e artit, raporton Telegrafi.

“Me një histori të gjatë që mbështet krijimtarinë dhe diversitetin kulturor, këtë vit festivali ofron një platformë të larmishme me ekspozita, performanca, muzikë, shkrimtarë dhe diskutime ndërdisiplinore”, thuhet në njoftim.

Aty theksohet se ky edicion përqendrohet në tema që sfidojnë kufijtë tradicionalë të artit dhe eksploron lidhjet midis kulturës dhe shoqërisë.

“Pjesëmarrësit kanë mundësinë të prezantojnë punët e tyre përpara një audience të gjerë, duke hapur rrugë për dialog të frytshëm dhe bashkëpunime ndërkombëtare”.

Në njoftim thuhet se përfshirja e artistëve ndërkombëtarë nga shumë fusha si piktura, fotografia, performanca, muzika, mundëson që festivali në këtë edicion të ofrojë një përvojë të pasur dhe gjithëpërfshirëse për vizitorët dhe pjesëmarrësit, raporton Telegrafi.

Në të njëjtën kohë është bërë e ditur se këtë vit, festivali synon të hedhë dritë mbi vlerat kulturore me temën e “Defit”, instrument ky dhe një element kulturor i rëndësishëm i Kosovës.

“Muzika ka një vend të veçantë mes elementeve kulturore. Këngët dhe ritmet që këndohen tregojnë për ngjarjet dhe sfidat që shoqëritë kanë përjetuar ndër vite. Këtë vit, Festivali Ndërkombëtar Zgjimi me Art synon të theksojë jo vetëm ndikimin psikologjik të muzikës folklorike mbi dëgjuesit, por edhe rolin që luan kjo muzikë në kontekstin kulturor. “Def-Daire” është një instrument që tregon sesi muzika dhe vallëzimet tradicionale ndihmojnë në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe transmetimin e saj brez pas brezi”, thuhet në njoftim.

Përmes “Def-Daire”, festivali ka theksuar se do të sjell së bashku zhanre të ndryshme muzikore dhe artistë, duke u ofruar pjesëmarrësve një udhëtim emocional. /Telegrafi/

Exit mobile version