“Kënga e Bilbilit ” e orkestruar nga Jusuf Gërvalla dhe e interpretuar nga Kuarteti Frymorë i përbërë nga Fisnik Behluli, Kushtrim Rexhepi, Rron Rrustemi dhe Jetmir Rrudhani e ka hapur Festivalin “Fest Flaka”.
Festivalin e ka shpallur të hapur nënkryetarja e komunës, Leonora Morina – Bunjaku, e cila ka theksuar se “Festa e Flakës së Janarit”, është një ngjarje, e cila gjithnjë ka bërë jehonë në zemrat e çdo shqiptari dhe që tashmë është një traditë e shenjtë për kultivimin dhe ruajtjen e pasurisë sonë muzikore.
Pasi ka përkujtuar të gjitha aktivitetet që janë mbajtur deri më tashti Morina – Bunjaku, ka shtuar se në këtë mbrëmje të veçantë, ne nuk jemi vetëm dëshmitarë të talentit dhe pasionit të artistëve tanë, por edhe të forcës që ka muzika për të na bashkuar si komb.
Në pjesën muzikore në vazhdim, më pas, me radhë janë interpretuar këngët “O bilbil ta bëra benë” – Xhentian Jetishi, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” – Mentor Haziri, këngë e pasur me një përkushtim për kryekomandantin Adem Jashari, të kënduar nga Majlinda Cikaqi. Në “Fest Flaka 2025” i është kënduar edhe Agim Ramadanit, nga solisti Kushtrim Kosumi, Dritëro Shaqiri ka interpretuar këngën “Selami Hallaqi” e Florion Thaqi interpretoi “Këngë për kurbetin”.
Programi ka vazhduar me këngën e kënduar nga Hysni Klinaku – “Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha”, Rexhep Jashari i ka kënduar Ismajl Qemalit e Osman Takës i ka kënduar Denik Prizreni, në të cilën kanë vallëzuar valltarët e QKA Anamorava. Në “Fest Flakën” e sivjetme është paraqitur edhe këngëtarja e mirënjohur Linda Hakaj që këndoi këngën “Fol Shqip”. Për “Bijtë e Lumës” këndoi “Acapella” Kori i Grupit Artistik Muzikor Theranda e Kosovës i kënduan Xhentian Jetishi, Majlinda Cikaqi dhe Kushtrim Kosumi.
Ky program është përcjellë edhe me efekte audio-vizuele, ku para çdo kënge janë deklamuar pjesë të poezive, që u kushtoheshin atyre që u këndohej.
Të gjitha këto këngë janë shoqëruar nga Orkestra Profesionale e “Fest Flaka”, edicioni 34, derisa programi është përzgjedhur, orkestruar dhe përgatitur nga profesor Dëfrim Behluli, organizator dhe drejtor artistik i “Fest Flakës 2025”.
Në shenjë nderimi për kontributin e dhënë ndër vite në „Flakën e Janarit“ me mirënjohje është nderuar kompozitori Isa Jakupi, mirënjohje të cilën e kanë pranuar fëmijët e tij, gjithashtu muzikantë, Kushtrim Jakupi dhe Albina Jakupi. Gjithashtu është falënderuar edhe kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni si dhe drejtori për Kulturë, Rini e Sporte, Kushtrim Zeqiri.
“Flaka e Janarit 2024” vazhdon me Orën e Madhe Letrare dhe “Penën e Flakës”. /Telegrafi/