Shefat e Ferrarit janë të bindur se skuderia e tyre do t’u kthehet fitoreve në sezonin e ardhshëm.
Pas garës për Çmimin e Madh të Austrisë, u bë e qartë se këtë sezon nuk mund të arrihej diferenca e madhe që ka krijuar Mercedesi si në kategorinë e pilotëve, ashtu edhe në atë të konstruktorëve.
Prandaj, fokusi është vënë në sezonin e ri, në mënyrë që Ferrari të jetë konkurrent serioz në vitin 2015.
“Është një udhëheqësi që punon për të tejkaluar dobësitë. Por, sa i përket planit të madh, planit tonë strategjik, çështjet kryesore nuk do t’i tregojmë. Nuk dua t’u jap përparësi kundërshtarëve”, ka deklaruar shefi ekipor, Marco Mattiacci, për Autosport.
Edhe pse Ferrari po kalon një sezon të vështirë, piloti Fernando Alonso thotë se janë bërë përparime, megjithatë edhe ai e ka të qartë se Mercedesi është ekipi triumfues dhe nuk mund të arrihet.
Dy pilotët e Mercedesit, Nico Rosberg (me 165 pikë) dhe Lewis Hamilton (me 136 pikë) udhëheqin Kampionatin e sivjetmë të Formula 1. Fernando Alonso është në vend të katërt në renditje me 79 pikë. /Telegrafi/