Fermerët në Komunën e Kaçanikut gjatë viteve të fundit po përballen me një varg sfidash duke u nisur nga vjetërsia e pajisjeve bujqësore, mos përkrahja e duhur e institucioneve për shpërndarje të serrave dhe makinerive të tjera, pastaj shpeshherë ata janë përballur edhe me dëme nga fatkeqësitë natyrore.
Blend Raka nga rrethina e Kaçanikut ka thënë për Telegrafin se prej vitesh kultivon kultura të ndryshme në bujqësi por përkrahja institucionale është e vogël.
‘’ Ne e kuptojmë se komuna ka buxhet të vogël por niveli qendror e ka mundësinë të na përkrahë më shumë sepse ne nuk kemi mundësi ta zhvillojmë bujqësinë pa përkrahje institucionale. Ne mund të prodhojmë kujtura të ndryshme për familjet tona por jo më shumë për shkak se nuk kemi pajisje të nevojshme të cilat janë mjaftë të kushtueshme’’, ka thënë ai.
Ndërkohë, ditë më parë Komuna e Kaçanikut ka përfituar 250 mijë euro grande për zhvillim të bujqësisë nga organizata ‘’Islamic Relief’’. Sipas kësaj komune po trefishohen mjetet për t’i mbështetur fermerët.
‘’Kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me organizatën ‘’Islamic Relief’’ në vlerë afër 250 mijë euro, që ka për qëllim fuqizimin e qëndrueshëm të bujqësisë në Kaçanik. Bujqit do të mbështeten me freza, spërkatëse, mbjellëse gruri, mbjellëse misri, motokultivatorë me frezë, makina mbjellëse të patates dhe kositëse rotative fermerët e komunës sonë. Puna jonë e drejtë dhe korrekte e realizuar përmes drejtorisë së Bujqësisë, ka bërë që kjo të jetë marrëveshja e tretë e bashkëpunimit me këtë organizatë’’, thuhet në njoftimin e komunës. /Telegrafi/